Në zemër të Tetovës, në mjediset e institucionit që u ngrit mbi sakrificën për arsim në gjuhën shqipe në “Universitetin e Tetovës”, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, zgjodhi të përballet jo me argumente për ligjin, por me vetë gjuhën shqipe.
Pas debatit për Ligjin e ri për Arsim të Lartë, situata degradoi në një përplasje të drejtpërdrejtë me gazetarët shqiptarë.
Shkaku ishte refuzimi i ministres për të pasur përkthyes dhe insistimi i saj që komunikimi të bëhej në gjuhën maqedonase, duke e theksuar atë si “gjuhë zyrtare”, ndërsa shqipen si gjuhë që “e flasin komunitetet”.
Ky nuk ishte lapsus, ishte qëndrim. Në një shtet që mbi bazën e Marrëveshjes së Ohrit ndërtoi parimin e barazisë gjuhësore, një ministre e Arsimit nuk mund të sillet sikur shqipja është opsionale.
Ajo nuk është gjuhë tolerance, por gjuhë me status zyrtar sipas ligjit.
Nëse një zyrtare e lartë shtetërore nuk flet shqip, obligimi institucional është i qartë: të sigurojë përkthim, e jo të kërkojë nga gazetarët që t’i përshtaten asaj, veçanërisht në një qytet si Tetova, ku shqipja është realitet institucional dhe shumicë demografike.
Deklarata e saj: “Unë nuk duhet të kem përkthyes, ju duhet ta dini gjuhën maqedonase”, tingëllon si rikthim në kohë, në një narrativë që e sheh barazinë si privilegj, jo si të drejtë.
Një ministre që harton politika arsimore duhet të jetë e para që demonstron respekt për diversitetin gjuhësor të vendit. Refuzimi për të marrë përgjegjësi institucionale për përkthim nuk është çështje teknike, është mesazh politik.
Mesazhi është i rrezikshëm kur një ministre e Arsimit relativizon statusin e shqipes në Tetovë, ajo nuk sfidon gazetarët, por sfidon frymën e bashkëjetesës dhe standardin kushtetues të barazisë./FaktiDitor.

