Skenari për humbjen e Komunës së Kërçovës

82

Moebel THEMA

Me fshirjen e mbi 30 mijë votuesve shqiptarë, nga lista zgjedhore, proces i cili është në vijim e sipër nga KSHZ, shqiptarët rrezikojnë të humbin edhe dy deri në tre deputetë nëpër njësi zgjedhore por edhe komunën e Kërçovës. Kështu deklarojnë, analistët Ismet Ramadani dhe Mersel Bilalli. Ata madje nënvizojnë se kjo marrëveshje e katër partive nënshkruese në Përzhino, shkon në dëm të shqiptarëve në proceset zgjedhore, e sidomos në zgjedhjet ku votat numërohen sipas formulës së Dontit.

“Zakonisht të fituarit e deputetit të fundit, e kam fjalën gjithnjë për shqiptarë, vendosin ndonjëherë edhe njëmijë vota dymijë vota dhe kur i marrim njësitë zgjedhore, atëherë ekziston mundësi reale të humbim dy deri në tre deputetë. Ajo që është me rëndësi votat të cilat digjen sipas formulës së Dontit shkojnë në llogari të dy partive më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, dmth, atë që e humbim ne e fitojnë këto dy parti. Partitë politike kur bëjnë kompromise duhet ti analizojnë mirë punët”, tha analisti politik, Ismet Ramadani.

“Në qoftë se pra, supozojmë 30 mijë nga 39 mijë, nuk paraqiten të dëshmojnë ekzistencën e tyre, praktikisht të themi, sipas sistemit i cili favorizon partitë më të mëdha, realisht prej 4,5 ndonjëherë edhe 6 deputet varësisht nga sistemi siç vjen sepse aty nuk kemi ndonjë proporcion strikt”, tha profesor universitar, Mersel Bilalli.

Sipas analistëve Ramadani dhe Bilalli, me fshirjen e votuesve të parashikuar në Kërçove, shqiptarët rrezikojnë së tepërmi humbjen e Komunës së Kërçovës, duke pasur parasysh diferencën e vogël mes votuesve shqiptar dhe atyre maqedonas, por edhe mënyrën se si u organizuan zgjedhjet e vitit 2013.

“Me shlyerjen e këtyre votuesve, radhën tjetër edhe mobilizimi i votuesve shqiptarë në diasporë do të jetë pak më i vështir për shkak të kompromiseve në kurriz të shqiptarëve që i bëjnë përfaqësuesit e partive politike, por edhe për shkak se shanset shumë zvogëlohen në Kërçovë për ta fituar herën tjetër kryetarin e komunës shqiptar”, theksoi Ramadani.

“Jo vetëm në aspekt komercial por edhe në aspekt juridik nuk mundë gjatë kohë të injorohen persona të cilët janë efektivisht të lidhur me familjet, me shtetin. Pra nuk mund ta konsiderojmë vetëm si kartelë bankare ku do të nxjerrim para dhe ajo nuk ka kurrfarë vlere. Ky injorim mundë të ketë pasoja”, theksoi Bilalli.

Sipas marrëveshjes së arritur mes VMRO-DPMNE-së, LSDM-së BDI-së dhe PDSH-së KSHZ ka kontestuar 39 502 votues në listën Zgjedhore të cilët janë mërgimtarë, por prej tyre mbi 30 mijë janë shqiptarë. Konfirmimi i mërgimtarëve për të qenë pjese e listës zgjedhore deri më sot, sipas raporteve të KSHZ-së është tepër i ulët./Shenja/

Comments