Skënderbeu, shifrat flasin për dominimin e kampionëve!

Klasifikimi në kampionat tregon gjithmonë të vertetën, sidomos kur shoqërohet me shifra dominuese. Kryesimi i Skënderbeut nuk është një rastësi pasi kampionët kanë treguar forcën e tyre në këto 10 javë kampionati. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi ka hequr të gjitha dyshimet e fillim sezonit duke vijuar me të njëjtën mënyrë si në vitet e fundit. Kryesimi erdhi pas suksesit me Partizanin, rivali direkt në garën për titull. Jo vetëm suksesi ndaj të kuqve por edhe shifrat tregojnë për forcën e kampionëve, që kanë të vetëm sulmin më të mirë ndërsa ndajnë me Partizanin mbrojtjen më të mirë. Janë 15 gola të realizuar në 10 javë me një mesatare 1.5 gola për ndeshje, ndërkohë që diferenca me ndjekësit është e ndjeshme, pasi sulmi i dytë më i mirë i takon Partizanit me 11 realizime. Gjithashtu kampionët janë skuadra që kanë dërguar tek goli plot 8 futbollistë, më shumë se çdo ekip tjetër në Superiore, çka tregon se goli nuk është i përqendruar vetëm tek individë të veçantë, ndërkohë që ende nuk kanë shënuar mbrojtësit ashtu si në edicionet e fundit. Gjithashtu Skënderbeu është ekipi me më pak humbje, pasi këtë edicion kënaqësinë e suksesit ndaj kampionëve në fuqi e ka patur vetëm Teuta në javën e 6-të. Formacioni i Shehit ka dalë fitues në sfidat me rivalët direktë si Partizani, Kukësi dhe Flamurtari, ndërkohë që në barazim e kanë ndalur Tirana dhe Laçi.