Skizofrenia politike e Kadri Kryeziut!

351

Më 7 shtator 2025, në profilin e tij të Facebook-ut, Kadri Kryeziu postoi një shkrim të “vogël”, për të përhapur një gënjeshtër të madhe: pretendon se paska qenë i pari që më 11 mars 1981 ka “bërtitur” “Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”.

Pas reagimeve të mia ndaj përpjekjeve për të shtrembëruar të vërtetën, Kadri Kryeziu solli variant tjetër për kërkesat e asaj kohe:
“Parulla “Kushtetutë, Republikë, o me hatër o me luftë” nuk është shpikje e vitit 1981. Ajo ka gjenezën në demonstratat e vitit 1968. (…) Nuk është e vërtetë që demonstratat e 11 marsit ishin vetëm për ‘kushte’. Kushtet ishin vetëm preteksti për të shpërthyer mllefin, pakënaqësinë dhe disidencën tonë ndaj regjimit jugosllav. Po, në marshin që bëmë duke dalë nga menza, ne i thamë parullat: ‘Duam kushte!’, ‘Duam Republikë!’, ‘Lironi shokët nga burgu!’ – fjala është për ideologun tonë, Bacën Adem Demaçi.”

Ai mendon se edhe të tjerët harrojnë çfarë është shkruar në emër të tij. Në shkrimin e titulluar “Revolucioni i studentëve të 11 marsit 1981”, të botuar në vitin 2023 në kuadër të kumtesave “Pranvera e madhe shqiptare”, Kadri Kryeziu shkruan:
“Ne ishim në ballë të studentëve, ndërkaq Gani Kocin e kisha afër, i cili në një moment ka nisur të brohorasë ‘Kosova Republikë!’ Unë në atë moment ia kam mbyllur gojën dhe i kam thënë: ngadalë se herët është”.

Këtu ai e nxjerr në shesh se jo vetëm që nuk ka pasur guxim të përmendë kërkesën politike “Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, por është përpjekur t’ia mbyllë gojën edhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Gani Kocit që të mos e përmend kërkesën për republikë!
Vetëm llaskucët e sojit të Kadri Kryeziut janë munduar ta kufizojnë pakënaqësinë në kazanët e ushqimit, sepse truri i tyre i ka rrënjët në bark!

Është e kotë që skizofrenit politik (atij që nuk i pret sakica me një vend) t’i kërkohet të pranojë se gënjeshtra e tij nuk pi ujë! Në përputhje me kontekstin ku ndodhet, Kadri Kryeziu do të vazhdojë të këmbëngulë se “ia ka mbyllur gojën Gani Kocirt të mos brohorasë kërkesën ‘Kosova Republikë’”, e herë se ‘paska qenë i pari që më 11 mars 1981 ka ‘bërtitur’ ‘Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë’”.
Ndërkaq sa i përket pohimeve se: “Bardhyli nuk mund t’i dijë gjërat që lidhen me organizimin e 11 marsit 1981, sepse ai nuk ka qenë pjesë e grupit organizator” dhe se në ato demonstrata “Bardhyli aty ishte vagon, jo lokomotivë” i them shkurt:
Edhe pse që nga 10 qershori 1978 kam qenë pjesë e organizatës “Kushtrimi i Lirisë” dhe kam qenë si demonstrues në ballë të demonstratave, asnjëherë nuk kam pretenduar se kam bërë më shumë se atë që e kam konsideruar si obligim kombëtar.
Skizofrenit politik nuk i duket e çuditshme që një “lokomotivë” si Kadri Kryeziu, të ketë të gjitha privilegjet e mundshme në burg, ndërsa “vagoni” të mbahet tetë muaj në qeli, rreth pesë vjet në regjimin “mbikëqyrje e përforcuar pa punë” dhe vetëm disa muaj të shohë se si “lokomotivës” i dilnin avuj djersësh nga puna me goblenë për gardianët e burgut!
Nëse unë kam shpifur, Kadri Kryeziu duhet ta publikojë certifikatën e martesës, të mbledhë nënshkrime nga të burgosurit e tjerë me të cilët kemi qenë në të njëjtin burg (Ramadan Avdiu, Gani Vlahna, Mustafë Ademi etj.) dhe le të më përgënjeshtrojnë. Madje le të më paditë për shpifje!
Nëse është shpifje që Kadri Kryeziu nuk nënshkroi letrën e protestë që të burgosurit politikë shqiptarë bënë në tetor të vitit 1987, për vdekjen misterioze të Ibrahim Kastratit në qelinë e Pavijonit famëkeq nr. 7, për të cilin drejtoria e burgut deklaroi se gjoja kishte bërë vetëvrasje, atëherë le të mbledhë nënshkrimet e të burgosurve të tjerë politikë dhe le të më përgënjeshtrojnë!
Ne njihemi fare mirë dhe të gjithë e dinë se unë kam ecur pa truproje edhe në kohë kur isha Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; edhe si ministër i punëve të Jashtme në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës…
Unë nuk kam kërcënuar asnjëherë askënd! Konfrontimin e mendimeve e kam shtruar në rrafshin intelektual. Nëse ti aludon në ndonjë formë tjetër kur shkruan se “ia bëjmë si dikur, kur ishim të rinj”, po të them troç: Mos leh në Facebook, por zgjidhe formën që të pëlqen dhe të garantoj se do të ndahesh si ato pulat e lagëta!

Comments