Nëse kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras në bisedat e tyre telefonike që pritet t’i zhvillojnë gjatë këtyre ditëve arrijnë zgjidhje për emrin dhe caktojnë takim në Prespë për zyrtarizmin e marrëveshjes, më pas do të vijojnë disa faza deri te ratifikimi i plotë i marrëveshjes në dy kuvendet, informon MEDIAL.
Një pjesë e mediave greke, mes të cilave edhe televizioni “Sky”, publikuan hapat deri në finalizimin e marrëveshjes. Pasi të përfundojnë negociatat e ekipeve eksperte për çështjet teknike dhe juridike, do të vijojë bisedë telefonike mes Zaevit dhe Tsipras-it, që sipas televizionit shtetëror “ERT”, do të realizohej këtë të enjte, eventualisht të premten.
Televizioni grek “Sky” publikoi se zgjidhja e çështjes së emrit dhe pranimi i formulës Erga Omnes edhe më tej vazhdon të mbetet barrierë në pozitat e dy palëve.
“Biseda e radhës telefonike do të jetë pikë kyçe që të përcaktohen hapat e ardhshme. Në këtë moment, të dy palët e ndajnë revizionin kushtetues, ndërsa Erga Omnes është çelësi”, thonë informatat tona dhe do të duhet të shohim se kur do të caktohet takimi në Prespë, publikoi televizioni grek.
Sipas mediave greke, zgjidhja do të jetë me emër nga tre propozimet e Nimicit: “Republika Maqedonia e Re”, “Republika Veriore e Maqedonisë” ose “Republika Maqedonia e Epërme.

