Sondazhi i “Goal”, Mesi thyen Ronaldon për “Lojtari më i mirë i dekadës”

195

   

 

Superylli i Barcelonës, Lionel Mesi, vlerësohet nga fansat si futbollisti më i mirë i 10 vjetëve të fundit, duke lënë pas rivalin e tij të madh e të përjetshëm Kristiano Ronaldo. Portugezi shihej në fillim si favorit, nisur dhe nga sukseset e tij të fundit me Realin e Madridit dhe Kombëtaren e Portugalisë. Por fansat që u ftuan nga sajti prestigjioz ndërkombëtar sportiv “Goal.com”, i dhanë votë dërrmuese “pleshtit” argjentinas, duke e vlerësuar si më të mirën e dekadës së fundit. Ishte një votim me vota masive, duke parë edhe përplasjet që ka në shtyp dhe ndërmjet specialistëve për më të mirin e kësaj periudhe. Dhe vota e fansave, edhe pse në një sondazh, ka rezultuar masive për Lionel Mesin. Argjentinasi ka marrë 12800 vota, ose 49% të numrit të përgjithshëm të njerëzve që pranuan të votojnë, duke merituar absolutisht vendin e parë dhe me një diferencë të ndjeshme ndaj rivalit të tij Kristiano Ronaldo, i cili, zuri vendin e dytë, duke marrë 10234 vota, ose 39% të totalit. Diferenca që krijon dyshja e parë në renditje me ata që vijnë më pas është shumë e ndjeshme, pasi të tetë lojtarët e tjerë që klasifikohen më poshtë kanë më pak se 10% të votave të marra online. Një garë e fortë ka qenë edhe për vendin e tretë, pikërisht midis Andres Iniestës dhe Zlatan Ibrahimoviçit, por që u fitua nga spanjolli fantazist me një diferencë të vogël votash (851-693 vota). Të dy së bashkua morën nga 3% të votave online. Të gjashtë kandidatët e tjerë që plotësojnë dhjetëshen e parë, morën së bashku vetëm 1% të votave, duke dëshmuar se dyshja kryesuese bën diferencë me të tjerët dhe është më e kuotuara, prandaj dhe rivaliteti për më të mirin është gjithë midis Mesit dhe Ronaldos. Në vendin e pestë u rendit Serxhio Ramos (379 vota), duke lënë për pak vota (340) pas vetes mesfushorin e shquar katalanas të Barcelonës Ksavi Hernandez. Një betejë shumë e fortë ka qenë edhe për vendin e shtatë, por që u fitua me vota online nga fansat prej brazilianit Nejmar i cili mori 228 vota, ndërsa në vendin e tetë u rendit Arien Roben me 216 vota dhe në vendin e nëntë Tomas Muller me 214 vota. Diferenca ndërmjet këtyre tre lojtarëve që janë midis vendit të shtatë e të nëntë është shumë e vogël. Dhjetëshen e parë për lojtarin më të mirë të dekadës e mbyll sulmuesi i Barcelonës Luis Suarez, që mori 153 vota. Parë në tërësi, dominimi i Mesit është absolut, pasi ka pothuajse gjysmën e votave online, pothuajse sa kanë të gjithë të tjerët së bashku. Kjo tregon se argjentinasi është lojtari më i mirë i dekadës së fundit. Nuk kuptohet pse lojtarë të tillë si Runi, Lampard, Xherard, Bufon, Kasijas, Pirlo, Kaka e shumë të tjerë kanë mbetur jashtë listës së më të mirëve, por fansat kanë preferencat e tyre dhe “Goal” i ka marrë parasysh shijet e secilit fans nëpërmjet një sondazhi të madh elektronik.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Comments