Lënda e rastit “Sopoti” përfundimisht është dërguar në Prokurorinë Publike Speciale…..
Lënda e rastit “Sopoti” përfundimisht është dërguar në Prokurorinë Publike Speciale.
Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sqaron se ia ka dorëzuar lëndën “Sopoti” Prokurorisë Speciale Publike, edhe pse kanë vlerësuar se Specialja nuk është kompetente për këtë rast.
Vendimi gjithsesi është marrë pasi që Këshilli i Prokurorëve u ka dhënë kompetencë që vetë Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të vendos nëse do ta dorëzojë ose jo lëndën. Edhe kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë pohoi se në këtë moment lënda është në duart e PPS-së.
“Juve me siguri ju intereson për rastin “Sopoti”, i njëjti është kthyer në Prokurorinë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe u është dhënë udhëzim që të veprojnë në pajtueshmëri me nenin 11 nga ligji special për atë prokurori. Kam njohuri se lënda tanimë është dorëzuar në PPS”,- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, ka afat ligjor prej 8 ditësh për të konstatuar nëse PPS është kompetente për këtë rast. Bisedat rreth këtij tasti që ishin pjesë e të ashtuquajturave “bomba” të opozitës janë bërë publike për opinionin.
11 shqiptarët e dënuar në vitin 2003 me 156 vite burg, presin tani drejtësinë e munguar me vite. Edhe pse pas publikimit të dëshmisë për pafajësinë e banorëve të dënuar ata në vitin 2010 u liruan nga burgu, sot e kësaj dite të akuzuarit për këtë rast janë duke u endur në gjykata pa mundur të marrin në dorë vendimin e pafajësisë. Sa i përket rastit “Puç”, Këshilli i Prokurorëve vendosi të mos e dorëzojë lëndën në PPS, por ta kthejë sërish në Gjykatën Penale.