Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka thënë se “policia do ta vlerësojë situatën se a do të arrestohet Kurti gjatë ditës së sotme nëse shihet në Kuvend”.
Burime të Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë thënë për KALLXO.com se urdhërarresti për Albin Kurtin është gjithëpërfshirës dhe ai mund të arrestohet në çdo moment.
Zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Shkodran Hoti, tha se Kurti do të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit në lidhje me mocionin e mosbesimit.
“Kurti ka me qenë në Kuvend të paktën kështu ka thënë, por nuk e di, nuk jam i informuar nëse ka arritur në ambientet e Kuvendit”, tha Hoti.
I pyetur se ku aktualisht ndodhet Kurti, zëdhënësi Hoti tha se ai është në Prishtinë.
“Nëpër Prishtinë, nuk ka ku të shkojë, s’ka çka të mbajë fshehtë”, tha Hoti.
Urdhër-arrestin për Albin Kurtin e lëshoi gjyqtari Beqir Kalludra më 21 prill, pasi Kurti nuk mori pjesë në seancën e gjykimit për lotsjellësin në Kuvend, ku akuzohen bashkë me të edhe tre deputetë tjerë të “Vetëvendosjes”.

