Sot u themelua Oda zvicerane “SwissCham MK“ në Maqedoninë e Veriut

174

Sot në Shkup, u lançua zyrtarisht Oda zvicerane e Maqedonisë së Veriut – SwissCham MK, si një platformë e re për promovimin e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe rrjetëzimit të biznesit midis Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës. Themelimi i Odës është rezultat i një iniciative shumëvjeçare nga kompani kryesore dhe mbështetjes institucionale nga Ambasada Zvicerane, me qëllim krijimin e një komuniteti biznesi të qëndrueshëm dhe të besueshëm bazuar në vlera të njohura zvicerane, transmeton Portalb.mk.

“Zvicra dhe Maqedonia e Veriut tashmë kanë lidhje të forta ekonomike, por përmes kësaj Ode po krijojmë një platformë që do të transformojë interesin ekzistues në partneritete konkrete dhe mundësi të reja për rritje”, tha ambasadori zviceran, Sh.T. Christoph Sommer, duke theksuar se oda do të kontribuojë në forcimin e partneritetit ekonomik dhe bashkëpunimit afatgjatë midis dy vendeve.

Në kohë transformimesh ekonomike globale, SwissCham MK po pozicionohet si një iniciativë strategjike që bashkon sigurinë, besimin dhe inovacionin, parime kyçe të mjedisit modern të biznesit. Duke u bazuar në lidhjet ekzistuese ekonomike dhe interesin në rritje për nearshoring (transferimin e aktiviteteve të biznesit në vendet fqinje), Oda do të punojë për të thelluar partneritetet dhe mundësitë e reja të investimit.

Kryetarja e Odës, Sonja Stefanovska, theksoi se vlera e vërtetë e këtij partneriteti bazohet në parime të qarta: “SwissCham MK do të jetë një urë besimi midis njerëzve, bizneseve dhe institucioneve, duke ndërtuar partneritete të bazuara në cilësi, saktësi, integritet dhe transparencë.”

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, theksoi në fjalimin e tij se SwissCham MK do të mundësojë komunikim më të mirë, shkëmbim informacioni, mbështetje për iniciativa të reja biznesi dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta.

“Jam i bindur se përmes një kuadri të tillë institucional, bashkëpunimi ekonomik do të forcohet dhe do të inkurajohet krijimi i partneriteteve të reja biznesi. Në këtë kuptim, Qeveria, dhe në veçanti Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, mbeten plotësisht të përkushtuara për të mbështetur iniciativat që forcojnë diplomacinë ekonomike dhe avancojnë bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Bashkëpunimi midis sektorit publik dhe privat është thelbësor për krijimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese dhe për hapjen e perspektivave të reja për kompanitë tona.”

Duke transferuar ekspertizën zvicerane dhe duke zbatuar praktikat e mira të biznesit, Oda do të funksionojë si një platformë për rrjetëzim, shkëmbim njohurish dhe mbështetje për bizneset, me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë maqedonase.

Comments