Sot vazhdon seanca për rastin “Lagjja e Trimave”

411

Sot vazhdon seanca për rastin "Lagjja e Trimave"

Sot pritet të vazhdojë seanca gjykuese për rastin e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë. Do të dëgjohen dëshmitarët e palës mbrojtëse. Si që lajmëroi avokati Naser Raufi, më së paku 50 dëshmitarë do të jenë të ftuar në Seancat gjyqësore në vijim dhe në mesin e tyre do të ketë politikanë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Ndryshe, të enjten që shkoi, tre dëshmitarët Shaban Jashari, Murat Lutfiu dhe Viktor Denkovski nuk janë paraqitur në SPB-Kumanovë për të dëshmuar në gjykatë dhe se të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e vendbanimit për t’u përgjigjur urdhrit për shoqërim policor deri në gjykatë.

Në mosprezencë të dëshmitarit, gjykatësja Verka Petrovska ka lejuar që prokurori Naum Panovski të lexojë dëshminë e parë që dëshmitari Shaban Jashari ka dhënë për Prokurorinë Publike.

Të akuzuarit, para se të lexohet deklarata e dëshmitarit kanë reaguar dhe kanë rekomanduar të mos pranohen të njëjtat për faktin se është dhënë nën trysni. Megjithatë gjykatësja nuk e ka pranuar kundërshtimin, dhe Panovski ka lexuar dëshminë e Jasharit.

Përndryshe, në rastin “Kumanova – Lagjja e Trimave” akuzohen 37 persona, për terrorizëm, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

Comments