Prokuroria Speciale mund të mbetet edhe me një prokuror më pak. Sipas burimeve jo zyrtare, por mirë të informuar, prokurorja Lile Stefanova, muajin e kaluar ka konkurruar për funksion në Prokurorinë Publike Republikane.
Duke pasur parasysh se për atë funksion janë paraqitur rreth 40 kandidatë, asgjë nuk është e sigurt, por ekziston mundësia që Katica Janeva të mbetet pa njërën nga kuadrot më me përvojë. Televizioni Alsat iu drejtua edhe zyrtarisht në PSP-së me pyetjen nëse Stefanova do të largohet dhe nëse kjo do të ndikojë kjo në punën e këtij institucioni, por edhe në lëndët që ajo i punonte. Deri në këtë moment nuk kemi përgjigje.
Sipas burimeve joformale, largimi eventual i Stefanovës, nuk do të duhej të paraqet tronditje të madhe për PSP-në, sepse tashmë ka skaduar afati për ngritjen e akuzave të reja. Por, megjithatë mbetet dilema, se kush do t’i përfaqësojë lëndët para gjykatës nëse prokurorja vendos të largohet. Motivet e një hapi të këtillë eventual të Stefanovës për momentin janë të panjohura, por sipas burimeve tona, ky hap nuk është pasojë e mosmarrëveshjeve, por zgjedhje personale.
Lile Stefanova erdhi në PSP me thuajse dy dekada përvojë në prokurori, edhe atë nga pozicioni në Prokurorinë për Krim të organizuar dhe korrupsion. Lënda më e madhe të cilën ajo e heton në PSP është “Titaniku”, ku kreu i OBRM-PDUKM-së është i akuzuar për bashkim kriminel, keqpërdorim të parave në fushatë parazgjedhore dhe shkelje të së drejtës për votim. Pikërisht për këtë rast, gjykata themelore dhe e apelit sollën vendime për marrjen e pasaportave të ish kryeministrit Nikola Gruevski dhe funksionarëve tjerë të lartë të OBRM-PDUKM-së.
Me largimin eventual të Stefanovës, PSP-ja do të mbetet me vetëm 10 prokurorë përfshirë këtu edhe Katica Janevën. Ndryshe kjo prokurori ka filluar punën me 13 prokuror, por në fillim të vitit 2016 për arsye të panjohura prej atje u larguan prokuroret Lejla Kadriu dhe Maria Gjoreska.