(E përditësuar) Nga Ndihma e shpejtë informojnë se mbrëmë dhe sot në mëngjes kanë pasur 65 intervenime në terren në rajonin e Shkupit, prej të cilave kanë konstatuar 12 viktima, transmeton Portalb.

Nga emergjenca- Shkup kanë vërtetuar se tek ata ndihmë shëndetësore kanë kërkuar 11 persona, ndërsa një fëmijë është sjellur i vdekur.

Nga Klinika për sëmundje kirurgjike “Shën Naum Ohridski” informojnë se 15 qytetarë kanë kërkuar ndihmë shëndetësore.

Nga Spitali i përgjithshëm “8 shtatori” vërtetojnë se janë trajtuar 24 persona me lëndime të lehta trupore dhe pas ndihmës janë liruar në shtëpi./Portalb

………………………………………………………………………………………………………………………………………..

Gjithsej 15 persona e humbën jetën, ndërsa gjashtë rezultojnë të zhdukur nga moti i ligë që mbrëmë e kaploi Shkupin dhe rrethinën. Siç njoftuan për MIA-­n nga MPB, pjesa më e madhe e viktimave janë nga fshatrat Smillkovcë, Hasanbeg, Stajkovc dhe Haraçinë.

Më shumë detaje nga MPB paralajmërojnë gjatë ditës.

…………………………………………………………………………………………………………………………………….

Moti i ligë që kaploi Shkupin me rrethinë ka marrë jetën e 15 personave, konfirmojnë nga MPB-ja për TV Nova.

Viktimat janë nga Haraçina, Hasanbegu dhe Stajkovci, si vende më të goditura nga moti i ligë.

………………………………………………………………………………………………………………………………

Banorët e lagjes së Hasanbegut para kamerave të Televizionit SHENJA, kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar gjatë vërshimeve duke thënë se kjo që ka ndodhur atyre nuk ju kishte ndodhur asnjë herë më parë. Ata thonë se ka vite të tërë që kanë kërkuar rregullimin e kanalizimit për të shmangur situata të tillë, por se fatkeqësisht nuk është ndërmarr asgjë në këtë drejtim.