STAJKOVCI SËRISH I VËRSHUAR, BANORËT DRUAJNË SE MUND TË PËRSËRITET 6 GUSHTI

309

 

Mile Stojanovski me një lopatë po e largon ujin nga oborri i tij, pasi që rrezikon që ti hyjë në shtëpi. Ai thotë se me familjen e tij jetojnë me  frikën se mund të përsëritet 6 gushti, dita që siç thotë e panë vdekjen me sy.

‘’Frikësohemi se përsëri mund të na vijë uji, shikoni se si është këtu, kjo në çka ngjan!?, në asgjë’’. tha Mile Stojanovski, Banor i Stajkovcit.

Në këtë fshat rrugët sërish janë nën ujë, pas reshjeve të shiut që nuk ndaluan për disa orë. Qytetarët thonë se rrugët janë të shëndërruara në liqe dhe se në disa oborre të shtëpive është rritur niveli i ujit. Ata kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për sanuar gjendjen, që mos të ketë vërshime të mëdha.

“Frikësohemi shumë frikësohemi, kemi frikë natën nuk flemë, tmerr është prej kur që ndodhi kjo. Nuk jemi të sigurt më. Kur u zgjuam në mëngjes çka të shohim, po e shihni edhe vet ju. Shteti duhet të ndërmerr diçka.” tha një Banore e Stajkovcës.

Ndërkohë edhe në Hasanbeg banorët druajnë se mund të përsëritet 6 gushti. Ata thonë pas çdo reshje të shiut fëmijët frikësohen të shkojnë në shkollë.

‘’Kanë marrë traumë të rinjtë, menjëherë thonë çfarë u bë. Vajza ishte në shkollë dhe është lajmëruar në telefon, mos u brengosni. Traumë kemi por prej Zotit s’kemi ku shkojmë’’. tha Alil Alili, Banor i Hasanbegut.

Banorët e këtyre dy vendbanimeve thonë se ende nuk janë të dëmshpërblyer tërësisht për dëmet që pësuan gjatë vërshimeve të gushtit, ndërsa presin që kjo të bëhet para se të pasojë ulja e temperaturave. Ndërkohë, Enti Hidro-meteorologjik paralajmëroi se për shkak të reshjeve intensive, ditëve të ardhshme janë të mundshme vërshime dhe pritet rritja e nivelit të lumenjve. Gjatë vërshimeve të 6 gushtit të kaluar që përfshin këtë rajon humbën jetën 21 veta, ndërsa u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Comments