Standarde të dyfishta në ndarjen e ndihmave (Video)



Autoritetet e vendit po veprojnë në dis-harmoni për sanimin e dëmeve në zonat e prekura nga përmbytjet, thonë banorët e Hasanbegut. Në Stajkovc pjesëtarët e ushtrisë në mënyrë intensive për dy ditë radhazi po pastrojnë rrugët. Në këtë zonë qëndronte edhe vetë ministri i Punës dhe Politikës Sociale Dime Spasov i cili jepte direktiva për pastrimin e këtij fshati. Edhe nga Kryqi i Kuq angazhohen që të furnizojnë banorët me artikuj ushqimorë dhe higjienik.
Mirëpo situata nuk është e njëjtë në fshatrat me shumicë shqiptare të prekur nga përmbytjet. Buka dhe uji janë dy artikujt e vetëm që shpërndahen për banorët.
Ndërkohë ata kërkojnë më shumë vëmendje dhe thonë se ndihma kryesore për të cilën kanë nevojë, së pari është pastrimi i ambientit nga balta. Atje përpos ndihmave vullnetare të shoqatave humanitare dhe qytetarëve, vështirë mund të vërehet ndonjë nismë e shtetit. Edhe ato që janë nuk mjaftojnë, thonë banorët e Hasanbegut. ALSAT-M