Starton Zona e Lirë Ekonomike në Tetovë
Në mjediset e Drejtorisë së Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë është bërë dorëzim-pranimi i objektit të korporatës amerikane ‘Lear Corporation’. Fjala është për një investim prej 17 milion eurosh. Procesi i prodhimit të sediljeve të makinave për tregun e huaj starton të hënën, më tetë gusht.
Në manifestimin e rastit, kompania ‘Normak Investment Group’ ia dorëzoi çelësin e objektit menaxhmentit të kompanisë ‘Lear Corporation’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fjala është për një hapësirë prej 11.800 metër katrorë dhe në të do të angazhohen deri në fund të vitit 2016 rreth 1000 punëtorë, kurse deri në fillim të vitit 2018 numri i përgjithshëm parashikohet të arrijë shifrën pre 2.500 të punësuarëve.
Punimet për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të kësaj kompanie për tregun e huaj, filluan para gjashtë muajve dhe në to u angazhuan mbi tridhjetë ndërmarrje, kryesisht vendore. Ky investim kap vlerën rreth shtatë milionë euro, ndërsa kompania amerikane ‘Lear Corporation’ ka investuar dhjetë milionë euro. Procesi i prodhimit starton të hënën më tetë gusht ndërsa kushtet e përgjithshme të punëtorëve janë sipas standardeve më të larta perëndimore.
Ky objekt është i kategorisë së parë dhe i plotëson të gjitha kushtet për një efikasitet energjetik të nivelit A+ dhe, në Maqedoni, është ndër objektet e rralla të këtij niveli.