STRUGA MË 8 NËNTOR 44!

598

Medai Shaholli

STRUGA MË 8 NËNTOR 44!

(nga kalendari i ngjarjeve dhe datave)

Si sot më 8 nëntor të vitit 1944, Struga me rrethin do të çlirohet nga partizanët e brigadës së shtatë shqiptare prej okupatorëve nazistë të cilët më parë na kishin ngritur gjoja ”Shqipërinë e Madhe” pa asnjë marrëveshje ndërkombëtare që do t’i njihte këto kufij.
Ata do ta bëjnë ”Shqipërinë e Madhe” pa njohje dhe garanca ndërkombëtare por veç përkohësisht, pa Shkupin dhe Kumanovën, pa Manastirin, pa Mitrovicën, dhe pa Çamërinë ajo nuk ishte Shqipëri Etnike, por demagogji ashtu siç bën edhe partizanët e ”druzhe” Titos që nuk mbajtën premtimin e Kartës së Atlantikut për vetëvendosje të popujve pas luftës.

Ky ishte zhgënjimi i shqiptarëve ndaj pushtetit të ri komunist jugosllav të mashtruar në emër të Luftës kundër nazi-fashizmit, ku pas kësaj parulle të bukur shqiptarëve do t’i vëndojnë prangat e skllavërisë së re.

Këto fakte historike historianët shqiptarë nuk guxojnë dot t’i quajnë me emrin e vërtetë edhe në kohën e ”demokracisë liberale”.

Moebel THEMA

Duke parë nga distanca kohore si sot e 77-vjet më parë në qytetin e Strugës do të hynë fitimtarë formacionet e para të partizanëve shqiptarë në krye me komisar Qemal Agollin, qytet shqiptar që po çlirohet vetëm nga partizanët shqiptarë të cilët atë ditë e paguan shtrenjtë çmimin e lirisë, ndërsa brigadat sllave qëndronin larg zjarrit të frontit për Strugën dhe bënin ‘sehir’ nga fshatrat përreth.

Menjëherë pas përfundimit të festës së çlirimit ku partizanët e brigadës së shtatë shqiptare vazhdojnë rrugën për beteja të reja, forcat e nacionalizmit dhe shovinizmit bullgaromadh ngritën kokë dhe ulën nga shtiza shqipen dykrenare.
Kjo ishte paraqitja e parë e nacional-shovinizmit bullgaromadh me heqjen e flamujve shqiptarë në Strugë e rrethinë.
Lufta kundër nazi-fashizmit si thirrje e bllokut Antifashist botëror te shqiptarët e kësaj ane menjëherë pas luftës do të devijonte vullnetin politik të shqiptatëve sepse ata u përdorën si mish për top, që në fund të fundit nuk iu mundësua e drejta e
Kartës së Atlantikut e së drejtës së popujve për vetëvendosje.

Përmendorja e Revolucionit e ngritur apostafat në sheshin e qytetit kushtuar Luftës Antifashiste nuk shkruan asnjë gërmë në gjuhën shqipe për kontributin e qeleshbardhëve në çlirimin e Strugës.
Kjo ishte loja me maska e ‘vëllazërim-bashkimit’ që po vazhdon edhe sot me kryeministrin Zaev do vazhdojë edhe nesër me Mickoskin.

Nëse gjatë Luftës Antifashiste shqiptarët e Strugës nuk ishin të arsimuar dhe u mashtruan pas demagogjisë sllave për ‘vëllazërim-bashkim’ të popujve dhe për barazi mes tyre, sot të arsimuar dhe me diploma Universiteti në demonkracinë e re sllave shqiptarët sërish po e hanë përsëri sapunin për djathë, politikanët e rinj vazhduan me politika të reja si ujqër të vjetër duke nënshkruar në kushtetutë përcaktimin denigrues si bashkësi etnike e 20%!

Atëherë, çfarë paraqet sot 8 nëntori i 44, çlirim apo riokupim nga sllavët, këtë duhet të na thonë hapur dhe pa hezitim historianët e rrethit dhe liderët politik shqiptarë, ku një grupim reklamohen si pasardhës nacionalistë që mbrojnë vlerat e shqiptarizmës dhe një tjetër palë si neutralë të moderuar dhe liberalë ?!
Nëse është riokupim atëherë çfarë kërkojnë partiçkat tona me pjesmarrjen ‘kolaboracioniste dhe në bashkëqeverisjen’ e këtij qyteti të riokupuar nga partitë sllave?

Nëse është çlirim nga nazi-fashizmi ahere edhe këtë le të na thonë hapur e mos mbajnë qëndrime të lëkundura sipas pragmatizmit dhe interesit të partisë, njëherë profashizmit dhe njëherë tjetër proantifashizmit.

Medai Shaholli

Comments