Struga në balotazh: Qyra sfidon Dalipin për të tërhequr kandidaturën

102
fresco

Struganët do t’u drejtohen edhe një herë kutive të votimit në nëntor ku gara do të jetë mes kandidatit të pavarur, që ka mbështetjen e VLEN-it, Mendi Qyra dhe kandidatit të AKI-së Arsim Dalipi.

Qyra në fjalimin pas fitores kërkoi që kundërkandidati Dalipi ta mbajë fjalën e dhënë që ai që ka një votë më pak, të japë dorëheqje në rrethin e dytë.

“Suksesi ishte kundrejt tetë kandidatëve që ishin kundër meje, normalisht pa pasur edhe një sistem politik, por një sistem që u krijuar brenda dy muajsh, besoj që qytetarët tani duhet ta dinë kush do të jetë udhëheqës i Komunës së Strugës me projektet e veta. Tani oponenti im e ka dhënë fjalën se do të jap dorëheqje, besoj se fjalën e dhënë jo si herët tjera, por kësaj radhe ta mbajnë dhe të tërhiqen”, tha Mendi Qyra.

Por me sa duket kandidati AKI-së Arsim Dalipi nuk është duke mëndur tërheqjen dhe beson në fitore të thellë në raundin e dytë.

“Edhe përkundër votës dhe pazareve të fshehta nëpër skuta, kundërkandidati im dështoi të bëjë realitet ëndrrën e VMRO-së. Por kjo nuk është fundi. Sot nuk dorëzohemi! Sot vazhdojmë betejën për përmbysje dhe për fitoren e Strugës. Për Strugën tonë – Strugën që e betonizuan, e shëmtuan dhe e rrjepën për shumë vite. Për Strugën që meriton dinjitet, zhvillim dhe të ardhme më të mirë. Bashkë do t’ia dalim. Bashkë e bëjmë fitoren”, deklaroi Arsim Dalipi.

Dy kandidatët shkojnë në balotazh me një diferencë shumë të vogël. Mendi Qyra mori 9934 vota, ndërsa Arsim Dalipi 215 vota më pak, respektivisht 9719. Në garë ishte edhe Jovana Mojskoska nga “Levica” e cila mori 2809 vota.

Comments