Subvencione shtetërore për punësimin e 100 personave në rrezik social

151
23_08_2016_suvencionet

Shkup, 23 gusht 2016
Të gjitha kompanitë private prej sot mund të aplikojnë për risitë që i ofron shteti për punësimin e personave në rrezik social. Këtë vit shteti ka siguruar mjete për punësimin e 100 personave. Për çdo person të punësuar nga kjo kategori e qytetarëve kompanitë gjashtë muaj do të marrin nga 22 mijë denarë në muaj, përkatësisht 17 mijë për rrogë dhe pesë mijë denarë për komenzimin e trajnimit.
“Masa parashikon subvencionim gjashtëmuajsh me obligim për kompanitë private që t’i mbajnë personat të cilët do t’i punësojnë 6 muaj shtesë. Subvencionin mund ta shfrytëzojnë të gjitha kompanitë private të cilat do të punësojnë persona në rrezik social, përkatësisht pranues të ndihmës sociale, ish pranues ose pranues të përhershëm të kompensimit të kushtëzuar në para, viktima të dhunës familjare, fëmijë të cilët deri në moshën 18 vjeçare e kanë pasur statusin e fëmijëve pa prindër ose pa kujdesje prindërore, anëtarë të familjeve pranuese të ndihmës së përhershme në para, shtesa e fëmijëve, si dhe persona të cilët marrin të ardhura të ulëta”, informoi sot në konferencën për shtyp minsitri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Bëhet fjalë tha ministri Spasov, për risi të mëdha për kompanitë private, të cilat duhet t’i stimulojnë që të punësojnë persona të tillë. Apelon kompanitë private ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë në thirrjen publike e cila është shpallur sot.
Mjetet e siguruara për këtë vit, tha, janë në vlerë prej 16 milionë e 600 mijë denarë dhe janë parashikuar për subvencionimin e punësimit të 100 personave me rrezik social.
“Kompanitë private të cilat do ta shfrytëzojnë këtë risi do të mund t’i shfrytëzojnë risitë e projektit “Maqedonia punëson”, përkatësisht për personat në rrezik social është parashikuar lirim nga pagesa e kontributeve sociale në afat prej 5 viteve, derisa për personat më të rinj deri në moshën 35 vjeçare të cilët kanë të ardhura të ulëta është pamundësuar lirimi nga kontributet sociale dhe tatimi personal në afat prej tre viteve dhe obligimi t’i mbajë personat në punë edhe një vit”, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale.
Sqaroi se shpallja është e hapur 15 ditë, me mundësi, ashtu siç tha, për vazhdim deri te shfrytëzimi i numrit i cili është siguruar dhe buxheti që është në dispozicion këtë vit.

Comments