Sulm me tritol ndaj gazetarit italian, në listë edhe shqiptarë

Gazetari i njohur italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ Report në Rai3, të cilit i hodhën në erë makinën e tij dhe të vajzës këtë të premte, prej vitesh jeton nën masa të rrepta sigurie për shkak të kërcënimeve të shumta që ka marrë nga organizata kriminale italiane dhe ndërkombëtare.
Ai ndodhet nën mbrojtje të plotë që nga viti 2021, kur autoritetet italiane zbuluan një plan për ta vrarë, i organizuar nga një trafikant droge me lidhje me ‘Ndranghetën dhe me kartelin kolumbian të Pablo Escobar.
Ranucci ka treguar se kërcënimet ndaj tij kanë filluar shumë më herët. Që në vitin 2009, ai kishte një formë mbrojtjeje të lëvizshme, pasi familja mafioze Ercolano në Katania kishte kërkuar ta “mbante nën vëzhgim” pas një hetimi që ai kishte publikuar mbi aktivitetet e tyre ilegale në një gurore në Siçili.
Middle-Aged Americans Are Underprepared for Retirement, Study Finds
Keep Watching
Në një intervistë për revistën Noi Antimafia, Ranucci ka shpjeguar se pas verës së vitit 2021 u vendos nën mbrojtje 24 orë në ditë. “Një trafikant, në kontakt me familjet e ‘Ndranghetës dhe me elementë të së djathtës ekstreme, kishte urdhëruar dy killer shqiptarë të më qëllonin”, ka rrëfyer ai. Sipas hetimeve, ky person ishte i burgosur në Padova dhe ishte lidhur me grupin kriminal që kishte ekzekutuar bossin Fabrizio Piscitelli.
Ranucci ka kujtuar se edhe në vitin 2010 një anëtar i klanit Santapaola kishte planifikuar ta vriste, por plani ishte ndaluar nga mafiozi Matteo Messina Denaro, i cili nuk donte të tërhiqte vëmendjen e hetuesve.
Në nëntor 2024, gazetari raportoi publikisht për “kërcënime të tmerrshme” që kishin mbërritur në redaksinë e Report pas një kronike mbi konfliktin Izrael-Palestinë. Ai ka qenë gjithashtu viktimë e akteve intimidimi, si vendosja e dy plumbave P38 pranë shtëpisë së tij dhe ndjekjet e përsëritura nga persona të dyshimtë.
Pavarësisht rrezikut, Ranucci ka deklaruar se do të vazhdojë punën e tij për të zbuluar lidhjet midis politikës dhe krimit të organizuar në Itali.(A2)