Sulme të reja izraelite në Gaza, rriten tensionet në rajon

71
fresco

Forcat izraelite kryen dje, 25 tetor, një “goditje të synuar” ndaj një individi në Gazën Qendrore, i cili sipas ushtrisë izraelite po planifikonte një sulm ndaj trupave të tyre. Siç raporton Reuters, një dron goditi një makinë, ndërsa katër palestinezë mbetën të plagosur.

Goditja ka prekur një anëtar të grupit militant Jihad Islamik, ndërsa grupi palestinez Hamas ende nuk ka reaguar lidhur me këtë.

Një incident tjetër raportohet në kampin Nuseirat në Gazën Qendrore këtë të dielë, 26 tetor, me një viktimë dhe disa të plagosur, larg zonave të pushtuara nga forcat izraelite.

Po ashtu, dëshmitarët thonë për mediat e huaja se tanket izraelite kanë sulmuar zona lindore të qytetit të Gazës.

Mediat izraelite raportojnë gjithashtu se, në një ndryshim të politikës së mëparshme që ndalonte hyrjen e forcave të huaja, autoritetet egjiptiane u lejuan të hyjnë në Gaza për të ndihmuar në gjetjen e trupave të personave të rrëmbyer në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, ngjarje që shkaktoi fillimin e luftës.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit të mbështetur nga SHBA-të, Hamas ka deklaruar se do të kthejë të gjithë pengjet që ka marrë, por ende mbeten trupat e 13 personave të zhdukur.

Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka dhënë ende komente publike për rastet e fundit.

Comments