Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, në orët e para të mëngjesit, pas shpërthimit të mbrëmshëm që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, prej ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Në njoftimin e lëshuar nga Qeveria thuhet se Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj, dhe se Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim, raporton Express.