Sveçla: Gjetja e detonatorëve tregon plane për sulme terroriste nga Serbia

122

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla është deklaruar rreth detonatorëve që Policia e Kosovës në bashkëpunim me trupat e KFOR-it, i kanë gjetur në afërsi të fshatit Gnjezhdan në Leposaviq.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla thotë se Serbia vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, sipas ministritë në detyrë, sulme të tilla të mundshme janë parandaluar nga Policia dhe institucionet e sigurisë.

“Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës. Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq. Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e insitucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve”, ka shkruar Sveçla.

“Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhnjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale”.

Comments