Takim koordinues për seancën konstituive, qëndrime të kundërta për kryesuesin

Partitë politike kanë mosmarrëveshje në lidhje me atë se kush do ta udhëheqë nesër seancën konstituive të Kuvendit.
Edhe pse deri më tani seancat konstituive të Kuvendit janë udhëhequr nga deputeti më i vjetër në moshë, në takimin e parë koordinues mes partive politike, nga VMRO–DPMNE kanë insistuar që seancën ta udhëheq kryetari i deritanishëm i Kuvendit, Trajko Veljanovski, duke u thirrur në ndryshimet e vitit 2013 të rregullores së Kuvendit.
Nga LSDM e kundërshtojnë këtë gjë, duke vlerësuar se seancën duhet ta udhëheq deputeti më i vjetër në moshë, pasi që në të kundërtën do të veprohet në kundërshtim me rregulloren dhe praktikën parlamentare.
“U informuam se kryetari i deritanishëm planifikon ta udhëheqë seancën konstituive, gjë që është në kundërshtim me rregulloren dhe praktikën parlamentare, sepse me seancën udhëheq deputeti më i vjetër në moshë dhe Veljanovski tani është deputet dhe i njëjtë me të gjithë”,- tha Oliver Spasovski nga LSDM.
Nga Lëvizja BESA thonë se qëndrimi i tyre lidhur me këtë çështje është ashtu siç e parashikon ligji, por vlerësuan se kjo çështje nuk është shumë me rëndësi.
“U kap pak çështja se kush do të jetë kryesues i seancës së nesërme. Nuk kishte ndonjë marrëveshje decide dhe mbeti e hapur si çështje. Qëndrimi ynë është se mbledhja duhet të shkojë siç është e paraparë dhe me ligj, mendoj se nuk është çështje shumë problematike”,- deklaroi Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.
Rregullorja e Kuvendit e ndryshuar për herë të fundit në vitin 2013, len hapësirë për interpretime të ndryshme të kësaj çështje. Në të thuhet se “përderisa seancën e parë të Kuvendit nuk e cakton kryetari në largim, ajo mbahet në ditën e 21 pas mbarimit të zgjedhjeve dhe e cakton deputeti më i vjetër në moshë”. Seancën konstituive të vitit 2014, ose një vit pas ndryshimit të rregullores, e ka udhëhequr deputeti më i vjetër në moshë.
Në qoftë se të premten seanca udhëhiqet sipas deputetit më të vjetër në moshë, atëherë atë privilegj do ta ketë deputeti nga radhët e BDI-së, Branko Manajlovski.

