Takimet në zyrë dhe lokale, gruaja: Si më provokonte gjyqtari



TAKIMET ME GJYQTARIN
Në dëshminë e saj, gruaja 40vjeçare ka bërë me dije se pasi kishte bërë padinë dhe çështja ishte në shqyrtim, u takua me kreun e Gjykatës në zyrën e tij dhe e njoftoi për padinë që kishte bërë, duke e vënë në dijeni se çështja po shqyrtohej nga gjyqtarja Blerta Çibuku
Në dëshminë e vet, 40vjeçarja u ka thënë hetuesve se kryetari i Gjykatës filloi ta provokonte që në takimin e parë në zyrë. Gjatë këtij takimi, sipas gruas, kryetari i Gjykatës në një moment i është afruar asaj, ka tentuar ta prekë dhe ta puthë, por ajo është larguar.
Ngacmimet, sipas dëshmitares, kanë arritur kulmin në takimin e dytë në një lokal, ku me gjithë kërkesën e vazhdueshme të Guximtar Boçit, ajo ka refuzuar lidhjen intime. Në këtë mënyrë, denoncuesja e skandalit ka hedhur dyshimet e saj se pasi refuzoi kryegjyqtarin e Gjirokastrës, ai ndikoi më pas te kolegia e tij, Blerta Çibuku, e cila dha vendim kundër Rudina I.
Ky vendim ndërkohë u la në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës dhe denoncuesja u ka thënë hetuesve se ka dyshime se edhe në Apel, ka qenë kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës që ka ndikuar për një vendimmarrje kundër saj, pasi në takimet e para i kishte thënë se “do ta ndihmonte edhe në Apel”. Sipas Prokurorisë, biseda mes gruas e gjyqtarit është regjistruar në vitin 2015.
Prokuroria ka sekuestruar pamjet e kamerave brenda Gjykatës së Gjirokastrës dhe po ashtu ka marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë. Grupi i hetimit ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave nga lokalet ku është takuar Rudina I. me kryetarin e Gjykatës.
Nga ana tjetër, 40 vjeçarja u ka shpjeguar hetuesve se prej 3 vitesh dhunohet dhe kërcënohet nga ishvjehrra e saj, Merushe Makri. Rudina I. ka thënë se ka kërkuar tri herë urdhër mbrojtjeje në Policinë e Gjirokastrës nga vjehrra, duke e akuzuar se ajo e dhunonte për shkak të konfliktit të pronësisë. Pretendimet për dhunë duket se kanë qenë të dyanshme, pasi në Gjykatën e Gjirokastrës hetuesit kanë gjetur së paku 7 urdhra mbrojtjeje që vjehrra Merushe Makri e ishburri Mihal Makri kanë kërkuar ndaj Rudina I. nga viti 2013 e në vazhdim.