Zëvendëskryeministri përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik, Hazbi Lika, realizoi takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jess Baily.
Në takim zëvendëskryeministri Lika dhe ambasadori Baily theks të veçantë i kushtuan reformave progresive që qeveria duhet të ndërmarrë në kontekstin e transparencës së administratës shtetërore.
Depolitizimi dhe transparenca e saj, shtuan ata, janë thelbësore për arritje të një niveli më të lartë të efikasitetit dhe profesionalizmit në një administratë shtetërore.
Paralelisht me ketë, zëvendëskryeministri shtoi se Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në koordinim me institucionet e tjera shtetërore ka ndërmarrë hapa konkretë për sistematizimin sa më të shpejtë të administratorëve shtetërorë, me çka do të krijohet një atmosferë pozitive në kontekstin e kohezionit social.
Zëvendëskryeministri Lika gjithashtu informoi ambasadorin amerikan, Xhes Bejli, rreth procesit të miratimit të Ligjit të gjuhës shqipe, ligj i cili pritet të kalojë në Qeveri dhe njëkohësisht të dorëzohet në Kuvendin e RM-së dhe në Komisionin e Venedikut.
Të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se miratimi i Ligjit për avancimin e gjuhës shqipe si dhe bashkimi i forcave mes të gjitha etnive në vend, do ta ndihmojnë vendin në harmonizimin e qëndrimeve në planin e eurointegrimeve, gjë që do lehtësojë përballimin e konkurrencës në rajon dhe ngritjen e standardit të jetesës.
Bashkëbiseduesit gjithashtu shprehën pritjet e sinqerta për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe ShBA-ve, me çka do të ketë përfitime dypalëshe.