Taulant Stërmasi: Paga e trajnerëve të atletikës s’mjafton për ujë, por trajnojmë një fenomen si Luiza Gega



Atletika shqiptare ka arsye të krenohet me një fenomen si Luiza Gega, e cila do të jetë flamurmbajtëse e ekipit olimpik kombëtar shqiptar në Olimpiadën e Rios pas pak ditësh, si dhe sportistja që ka më shumë shanse për një rezultat historik për ekipin tonë. Para pak ditësh ajo doli nënkampione e Europës në 3000 m me pengesa dhe kjo është disiplina ku ajo do të garojë edhe në Rio, me besim të madh se mund të sigurojë një rezultat historik për Shqipërinë. Trajneri i saj, Taulant Stërmasi, i njohur në Shqipëri për sportistet elitare që ka përgatitur, njëherësh kritik i madh i situatës që ka shoqëruar atletikën tonë në veçanti dhe sportin në përgjithësi, ka peshën e vet në këtë sukses, pasi prej 8 vjetësh që drejton sportisten ka njohur vetëm rritje rezultatesh. I intervistuar nga “SOT”, Stërmasi analizon gjendjen e sportistesh, mundësitë e saj në garën që do të ketë në Olimpiadë, pa lënë mënjanë nevojën që ka sportistja për kushtet bazike dhe nevojën për mbështetje financiare. Stërmasi apelon fuqishëm tek institucionet të bëjnë më shumë për këtë “makineri” të atletikës shqiptare, këtë vajzë të mrekullueshme e një sportiste fenomenale. Për të kuptuar gjendjen e rëndë infrastrukturore të atletikës mund të përmendet fakti madhor se sot kryeqyteti shqiptar me 1 mln banorë, Tirana, nuk ka një pistë atletike, ndërsa për konditat e trajnerëve duhet thënë se paga e tyre është qesharake, aq sa nuk mjafton për të blerë ujë. Këto fakte duhen marrë në konsideratë më së pari nga strukturat shtetërore, por edhe sponsorët dhe kompanitë e mëdha, që të ofrohen për të dhënë zgjidhje.
Kur ndodhemi në prag të Lojërave Olimpike, cila është gjendja sportive e flamurmbajtëses së ekipit olimpik kombëtar shqiptar (Luiza Gega)?
Gjendja e atletes Luiza Gega është mjaft e mirë. E kam shprehur dhe më parë se ne na është dashur kohë për të përmirësuar kalimin mbi pengesë dhe shpresoj që kjo kohë (e tanishme) të jetë e mjaftueshme që të përmirësojmë edhe kohën (rezultatin) që fiksuam në garat e kësaj disipline (3000 m me pengesa) në Amsterdam.
Në çfarë disiplinash do të garojë Luiza? Cilat janë objektivat tuaja në këtë aktivitet?
Disiplina e vetme ku do të garojë Luiza do të jetë gara e 3000 m me pengesa, pasi nuk është e mundur fizikisht që një atlet i distancave të mesme të arrijë të vrapojë më shumë se një garë në harkun e një dite. Ndërsa, sa i takon objektivit, ambicia jonë është hyrja në finale, pasi kjo do të na qetësojë dhe psikologjikisht. Kemi shanse të mëdha për të qenë pjesë e finales së kësaj gare në Olimpiadën e Rios. Sigurisht, në finale një taktikë e re do të jetë, ku do të bazohemi në mundësitë tona dhe të kundërshtarëve që do të kemi në garë, në mënyrë që jo vetëm të vrapojmë në kohë të shpejtë, por të lemë pas shumë atlete.
Sa janë shanset reale që Luiza të përsërisë këtë sukses të madh që korri në Europian?
Europiani është aktivitet më i vogël se Olimpiada. Ne besojmë se përmirësimi i mangësive do të na vendosë shumë mirë në renditje dhe pse jo në majat më të larta, pasi koha që presim, e shoh në stërvitje, është e lartë. Pikërisht këto rezultate të stërvitjes më bëjnë optimist dhe na motivojnë më shumë për të arritur objektivin tonë.
Ju vazhdimisht keni ngritur zërin për kushtet e dobëta stërvitore dhe mbështetjen e paktë financiare nga shteti për një sportiste të tillë elitare. Realisht, çfarë kërkoni dhe nga cilat institucione e kërkoni?
Mungesa e kushteve është fjali që kërkon një natë dimri për t’i shpjeguar se sa shumë na mungojnë, por do të jem konciz në disa detaje që janë domethënëse për sigurinë e sportistes dhe jetën e saj mbi të gjitha. Konkretisht: Infrastruktura e stërvitjes (stadium me pistë tartani); Mungesë e bazës materiale (pengesa e shumë materialeve didaktike); Grumbullime në lartësi 7-8 muaj të vitit; Mjeku; Mungesa e fizioterapistit të atletikës (është specifik i atletikës), i cili duhet të jetë me atleten gjatë gjithë periudhës; Psikologu në periudhat para eventeve te mëdha; Shtimi i pajisjeve moderne për rikuperimin më të shpejtë të atletes. Atletë të tjerë, të cilët duhet t’i mbajnë ritmin atletes për disa arsye që janë shumë të rëndësishme në gara të mëdha.
Ndër vite atletika jonë ka kërkuar një sukses madhor ndërkombëtar. Erdhi në Europian, por në Olimpiada kemi qenë shumë larg. A mund ta marrim këtë garanci nga trajneri Stërmasi? Që në Rio-2016 atletika shqiptare të sigurojë medaljen e parë olimpike?
Pyetja juaj më duket si një kontratë mes palësh që ka kushte të vendosura vetëm nga njëra anë. Po marr një shembull në fushën tuaj të gazetarisë. Kur një gazetar të punojë pranë një redaksie dhe të paguajë vetë qiranë e zyrës ku punon në redaksi, dritat, PC, letra dhe në fund të muajit rrogë s’do të marrë e Kryeredaktori t’i kërkojë e ta pyesë sa janë mundësitë për të fituar “Pulitzer”. Gjithsesi, kemi shanse të jemi mes më të mirëve të botës.
Tirana, qyteti me 1 milion banorë, nuk ka pistë. Ju keni kontaktuar me zyrtarët e sportit në vend. A keni marrë prej tyre një garanci serioze se kur do ta kemi një pistë vetëm për atletikën?
Që në momentin kur e pashë që kishin filluar lëvizjet serioze nga federata e futbollit, pasi kishte gjetur investitorin, kam njoftuar me e-mail federatën e atletikës që të çohemi si komunitet për të kërkuar pistën në një vend tjetër, pak rëndësi ka se ku, por brenda qytetit të Tiranës. Isha i gatshëm në atë moment por dhe tani që të shkojmë të flasim me autoritetet për të gjetur zgjidhjen më të mirë për atletiken e qytetit të Tiranës ku jeton 1/3 e popullsisë së Shqipërisë. Kam dëgjuar se po mendohet nga Kryetari i Bashkisë së Tiranes dhe më vjen mirë për këtë. Gjithsesi, do ta pyesim vetë e besoj se dhe ai do të na japë ndonjë lajm pozitiv në takimin që kemi së bashku në datën 2 Gusht në Bashkinë Tiranë.
Duke analizuar rezultatet e Luizës përgjatë viteve në 800, 1500 dhe 3000 m, çfarë ju bën përshtypje si trajner?
Luiza është talent i lindur, pasi mund të mësojë çdo ushtrim teknik me një demonstrim, e rrallë kjo tek atletët e tjerë. Gjenetikisht ka parametra biologjikë shumë herë më të mirë se pjesa kryesore e popullatës. Dhe një nga më kryesoret një supervullnet për të arritur objektivat që i ka vendosur vetes. Kur ka filluar me mua bënte 800m, me këmbënguljen time arritëm të shkojmë lart në distancë, pasi ajo është atlete që ka potencial të madh në metrat lart. Ka kohë që diskutonim për të provuar 3000m me pengesa dhe ja ku ia arritëm. E di shumë mirë që kemi shume mangësi e kjo na jep kurajo se çdo ditë që kalon duke u stërvitur ajo do të përmirësojë akoma në shumë siç ka bërë për 8 vjet që stërvitet me mua, pa ndaluar në përmirësim rezultatesh asnjë vit.
Sponsorizimi është një zgjidhje. Sipas jush, pse është e vështirë nga bizneset e mëdha të financojnë një sportiste të madhe si Luiza? Cili institucion mendoni se e ka tagrin ta realizojë ndërmjetësin?
Biznesi është promotor për të lëvizur ekonominë e një vendi dhe si i tillë mund ta bëjë shumë lehtë me një atlete si Luiza. Problemi madhor është se biznesi nuk ka asnjë lehtësi fiskale në rastet kur sponsorizon sportistët, siç është rasti i Luizës. Nëse sponsorizimi vjen, ndodh si shkak i miqësive apo kontakteve të mia e jo si një proces që kudo në botë funksionon normalisht. Aktualisht Luiza ka sponsor “Sigal Uniqa” si rrjedhojë e dashamirësisë së zotit Ponari. Dhe “TNT” është mbështetës i saj. Në fakt, tregu i menaxhimit sportiv është i paprekur dhe në këto raste, deri sa tregu të maturohet, rregullatorin duhet ta bëjnë institucionet shtetërore. Kërkohet që media, si e shkruar dhe ajo vizive, të jenë më prezent me sportet individuale, në mënyrë që të jetë një produkt më i prekshëm për biznesin, i cili kërkon të gjejë reklamim për investimin e tij.
Me përjashtim të Luizës, e cila është unikale në Shqipëri, ju si teknik i atletikës si e shihni gjendjen? A kemi ne sportistë që mund ta pasojë një ditë Luizën në garat e vrapimit të mesëm, ose dhe në disiplina të tjera?
Ka talente në atletikë, por janë me gishtat e dorës. E kjo vjen për disa arsye madhore. Infrastruktura nuk ta bën të mundur të kesh mundësi të bësh seleksionim e të nxjerrësh prej andej talente. Pagesa e trajnerëve është qesharake, e cila nuk plotëson as ujin e përditshëm (200-300 lekë dita). Trajnerë të mospaguar, me pak profesionistë që merren me atletikë, e me pak njerëz që investojnë në dituri në këtë sport. Gjithsesi, unë dua të flas për Relaksa Dautin, e cila është edhe vajza e tezes së Luizës. Ajo është nënkampione e Ballkanit me moshat U18 ndërkohë që ishte vetëm 13 vjeç kur mori pjesë. Ka potencial të madh në disiplinën e 800m e unë shpresoj dhe besoj se do të jetë pasuese e Luizës në nivelet Europiane e Botërore.
Çfarë keni përgatitur ndonjë gjë të veçantë në prag të Olimpiadës? Domethënë deshëm disa parametra teknikë nga stërvitja për të kuptuar kapacitetet dhe pritshmëritë?
Stërvitja nuk mund të ndryshojë para Olimpiadës, por ne kemi filluar të mendojmë për Rio 2016 që në vitin 2013. Tani jemi në një aspekt më shumë tekniko-taktik para garës, se sa volumi, pasi na ndan vetëm 2 javë nga gjysmëfinalja. Stërvitja është e alternuar me pengesa, në mënyrë që atletes kalimi me pengesa në garë t’i vijë në mënyrë natyrale.
A i ka marrë Luiza shpërblimet që i takojnë në bazë të ligjit e rregulloreve të federatës për sukseset e saj ndërkombëtare?
Deri tani që po flasim akoma jo. Javën që vjen, para se të nisemi për në Olimpiadë, do të kemi takime me institucionet shtetërore dhe atëherë do të diskutojmë për shpërblimin.
Intervistoi: Adriatik BALLA
/Agjensia e Lajmeve Sot News/