‘Të jenë tetovarë dhe që kanë ndërruar jetë’, vazhdon debati për emërimin e rrugëve të Tetovës

“Kongresi i Manastirit”, “Lidhja e Prizrenit”, “Kongresi i drejtshkrimit”, “Rruga e studentëve”, “Lindita Ahmeti”, “Ibrahim Rrugova”, “Ahmet Zogu”, “rruga e Mikelit”, “rruga Xhamia e Larme”, “Anton Santori”, “Anton Zako Çajupi”, “Ali Pashë Tepelena”.
Këto janë vetëm disa nga emrat që i kanë propozuar qytetarët për pagëzimin e rrugëve të Tetovës. Në debatin e tretë publik të organizuar për punën e emërimit të rrugëve, kryetari i komisionit Argjend Veliu, tregoi se është marrë vendim që të mund të përdoren vetëm emra të personaliteteve që tashmë kanë ndërruar jetë.
“Kriteri i parë që e përcaktuam si grup pune, është që emri i personit të propozuar të mos jetë në mesin e të gjallëve. Kriteri i dytë është relevanca apo kontributi që ka dhënë personaliteti në sferat e shoqërisë dhe e treta arsyetueshmëria e emrit të propozuar. Nëse bazohemi në kriterin e parë, besojmë që numri do të përgjysmohet nga propozimet, sepse ka shumë propozime të personaliteteve që janë ende gjallë”, tha Argjend Veliu, kryetar i Komisionit.
Ndër më kritikët për emrat e propozuar ishte profesori Sulejman Mehazi. Kërkesa e tij është që të përmdoren emrat e figurave që kanë kontribuuar për Tetovën, e jo të atyre që ende janë gjallë.

“Nuk është e logjikshme që të marrim emra të huaj. Duhet marrë ata që vërtetë kanë kontribuuar për Tetovën. Këto të gjallët jo, sepse ende janë të gjallë, dhe mund të rrëshqasin e të dalin tradhtar, a do ia ndërrojmë emrin pastaj prandaj është e logjikshme që të vendosim emrat e personave që kanë vdekur kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që kanë luftuar me pushtetin komunist të cilët kanë qenë të burgosur që kanë dhënë kontribut edhe intelektual, ka mjekë, ka hoxhallarë, ka njerëz që kanë luftuar për këtë qytet”, tha Sulejman Mehazi, profesor.
Agon Memeti, pasardhës i doktor Xhafer Sulejmanit, ishte propozues i emrit të mjekut. Ai e përkrah idenë që emrat e rrugëve të jenë të personalitete të Tetovës për ta njohur më mirë historinë e qytetit.
“Ne e propozuam emrin e mjekut Xhafer Sulejmanit që ka qenë mjeku i parë i diplomuar në Tetovë, ka qenë kryetari i parë shqiptar i komunës së Tetovës, ka qenë themelues i dy ndërmarrjeve – bankës tregtare e cila më vonë e ka themeluar edhe shoqërinë aksionare, që e ka ndërtuar hidrocentralin e parë në Jugosllavinë jugore në vitin 1927, që sot gjendet në rrugën e banjës. U nxit debati për përmendjen e qyteteve të huaj dhe emrave të jashtëm dhe kjo ishte e arsyeshme. Jemi si popull në fazë tjetër të zhvillimit dhe duhet dhënë përparësi emrave lokal më shumë që kjo, të bëj që më mirë të njohim qytetin, që do ndikoj në ngritjen e vetëdijes sonë dhe krenarisë së tetovarëve”, tha Agon Memeti.
Komisioni për vendosjen e emrave të rrugëve do të mblidhet sërish për të përzgjedhur emrat sipas kritereve të vendosura. Pritjet janë që në fund të mbeten rreth 300 deri në 350 emra. Përndryshe në Tetovë janë të regjistruara gjithsej 297 rrugë, prej të cilave 216 janë pa numër apo emër, ndërsa 80 të tjera kanë nevojë për ndërrim të emrit, sepse konsiderohet se nuk përkojnë me realitetin multietnik të vendit.