Të shtunën vazhdojnë kërkimet për vajzën e zhdukur nga vërshimet (Video)
Katër ditë pas ndërprerjes së kërkimit për gjetjen e foshnjës 16 muajsh, Elif Fejzullahu, e cila rezulton e zhdukur qysh nga mbrëmja e 6 gushtit, nesër policia dhe ushtria përsëri do të jenë në teren, raporton SHENJA.
Gjyshi i vogëlushes, Jusuf Fejzullahu kërkon ndihmë nga të gjithë qytetarët që ti bashkëngjiten aksionit për gjetjen e trupit të saj.
”Në ora 9 nesër do të mblidhemi te stadiumi për ta kërkuar Elifin përsëri. Edhe policia edhe ushtria kanë premtuar se nesër do të vijnë por edhe fshatarët. Pikërisht për këtë e bëj apelin kush ka dëshirë dhe dëshiron të fitoj sevape le të vijë ta kërkojmë dhe një herë ”, ka thënë gjyshi i Elifes, Jusuf Fejzullahu.
Ditë më parë, gjyshit të Elifit qeveria i premtoi se do të kërkoj ndihmë nga Turqia për të sjellë makineri të posatshme për gjetjen e sajë, por deri më tani aparatet e posaçme nuk kanë arritur.
“Për ndihmën nga Turqia në pritje jemi ende s’ka asgjë , na premtun vetë por nuk kemi asnjë lajm ende”, tha më tej ai.
16 muajshja Elif Fejzullahu rezulton e zhdukur që nga nata e 6 gushtit. Për herë të fundit ajo është parë në vendin e quajtur Kamnik, aty ku dhe është gjetur e lënduar nëna e saj, ndërkaq 300 -400 metra më larg është gjetur trupi i pajetë i babait të saj.