Teherani: SHBA-të dhe Izraeli, përgjegjës për vdekjet e civilëve!
Ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se mbajnë “përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe të pamohueshme ligjore” për vdekjen e civilëve të pafajshëm, veçanërisht të rinjve.
Në letër, Iravani argumenton se politika e SHBA-së ndaj Iranit është e orientuar drejt ndryshimit të regjimit nëpërmjet sanksioneve, kërcënimeve dhe trazirave të orkestruara, të përdorura si pretekst për ndërhyrje të mundshme ushtarake. Përmbajtja e letrës u ripostua nga misioni iranian në Kombet e Bashkuara në rrjetet sociale X.
Organizata për të drejtat e njeriut, Hrana me seli në SHBA tha se kishte verifikuar vdekjen e 2,571 personave që nga fillimi i protestave në Iran. Sipas Reuters, viktimat përfshinin 2,403 protestues, 147 individë të lidhur me qeverinë, 12 të mitur nën 18 vjeç dhe nëntë civilë që nuk ishin të përfshirë në protesta.
Ndërkohë, mbyllja e internetit në të gjithë vendin, e vendosur nga autoritetet iraniane për shkak të protestave antiqeveritare, vazhdon. Sipas organizatës NetBlocks, ndërprerja ka zgjatur mbi 130 orë dhe filloi të enjten e kaluar. Dje, qeveria e Teheranit lejoi disa thirrje telefonike ndërkombëtare dhe media shtetërore publikoi listat e faqeve të internetit që lejohen.
Sipas një raporti të publikuar sot nga organizata Open Doors, të krishterët në Iran i nënshtrohen një represioni të ashpër dhe sistematik. Irani renditet i dhjeti midis vendeve me nivelet më të larta të persekutimit për shkak të besimit të tyre. Të konvertuarit e krishterë preken veçanërisht: kishat shtëpiake bastisen rregullisht dhe bastisjet shpesh pasohen nga arrestime, ndalime të gjata dhe marrje në pyetje, me akuza që lidhen me sigurinë kombëtare.
Raporti vëren se të paraburgosurit jetojnë në kushte të pasigurta sanitare dhe se kërkesat për lirim me kusht, mund të jenë shumë të larta. Edhe pas lirimit, vendosen kufizime të ashpra, të tilla si internimi i brendshëm ose autocensura. Komunitetet historike të krishtera armene dhe asiriane, megjithëse të njohura nga shteti, trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe i nënshtrohen diskriminimit në punësim dhe në të drejtën familjare. Për më tepër, përdorimi i gjuhës persiane në shërbesat fetare dhe përfshirja e personave që flasin persisht në aktivitetet kishtare, janë të ndaluara.
Open Doors thekson gjithashtu se konflikti me Izraelin ka përkeqësuar presionin mbi të krishterët, të cilët shpesh perceptohen si simpatizues ndaj Perëndimit. Që nga armëpushimi, të paktën 54 të krishterë janë arrestuar në 21 qytete me akuza për spiunazh. Mediat shtetërore, thuhet në raport, kanë nxitur një narrativë, që lidh të krishterët ungjillorë me shërbimet e inteligjencës së huaj, duke rritur rrezikun për të gjithë komunitetin. Kishat e fshehta vazhdojnë të rriten, por mbeten të ekspozuara ndaj rreziqeve të konsiderueshme./ ANSA.
© SYRI.net

