Tërmet 7.1 ballësh në Zelandën e Re, s’ka panik për tsunam

215
 

Moebel THEMA

Tërmet 7.1 ballësh në Zelandën e Re, s'ka panik për tsunam

Rezidentëve të një komuniteti të vogël në brigjet lindore të Ishullit Verior të Zelandës së Re u është kërkuar të evakuohen pas një tërmeti të fuqishëm që tronditi vendin, e që epiqendrën e pati në det.

Autoritetet e Mbrojtjes Civile u kërkuan banorëve në zonën e Gjirit Tologa të largoheshin nga shtëpitë e tyre, pas tronditjeve prej 7.1 ballë të shkallës Rihter, lëkundje rreth 169 km në juglindje të Gisborne.

Edhe njerëzit në disa zona të tjera bregdetare u njoftuan dhe u paralajmëruan të ngjiteshin në vende sa më të larta. Kjo, sepse tërmeti shkaktoi një tsunam, por impakti i këtij të fundit nuk ka qenë aq i rëndë sa për t’u frikësuar, bëri të ditur një punonjës i emergjencave për radion “New Zealand”.

Qendra e Paralajmërimit për Tsuname në Paqësor, e ndodhur në Hauai, publikoi një status në “Twitter”, ku thoshte se vetëm një dallgë prej 21 centimetrash ishte shënuar.

Tërmeti tronditi vendin rreth orës 4 e 37 me atë lokale, apo 18:37 me orën tonë, dhe e kishte thellësinë 19.1 milje nën det, bënë të ditur monitorues amerikanë.

Banorë përreth Ishullit Verior thanë se i kishin ndierë tronditjet, por ende nuk ka raportime për dëme serioze.

Në vitin 2011, qyteti i Christchurch në Ishullin Jugor u shkatërrua pas një tërmeti me magnitudë 6.3, ndërsa mbetën të vdekur 185 persona. Çdo vit, më shumë se 15 mijë tërmete regjistrohen në Zelandën e Re, por vetëm 150 prej tyre janë të një shkalle të konsiderueshme për t’u ndierë e pse jo edhe për t’u frikësuar.

/ Top Channel

Comments