Tërmeti në Itali/ Rrëfimi rrëqethës i policit: “Mbijetoi vetëm maçoku, por djalin se gjeta gjallë”
Kuestori i Frosinones, Filippo Santarelli ka humbur djalin nga tërmeti në Itali.
Për mediat italiane, ai rrëfen me dhimbje se gjeti gjallë maçokun e familjes, ndërsa djali i tij dha frymën e fundit mes rrënojave që shkaktoi tërmeti.
Marco, djali i kuestorit te Frosinones kishte shkuar me dy miq në shtëpinë e familjes së tij në Amatrice, një nga zonat më të goditura nga tërmeti.
“Nga mesdita dikush bërtiti: E gjeta, e gjeta. Unë isha përpara, dhe më larguan…”
Zëri shuhet, kuestori i Frosinones, Filippo Santarelli qan.
“Nuk e dija në çfarë gjendje mund të ishte trupi, për këtë arsye më mbajtën larg. E pashë më pas, Marko im, kur e sollën në kopsht, aty ku vendosnin kufomat. Mbeta pak me të. Kur e mendoj… Nuk di të gjej fjalët për të treguar se sa dhimbje ka një baba që humb një bir. Ndoshta nuk ekzistojnë”.
Djali i tij ishte 28-vjeç dhe ishte në Amatrice për pushime.
“Shkonte çdo verë në shtëpinë tonë të familjes, dhe gjithmonë ftonte dikë. Edhe këtë herë ishte me dy miq. Njëri shpëtoi dhe arriti t’ia mbathë, tjetrin e nxorën gjallë pas disa orësh. Ndaj për këtë shpresova deri në fund, që djali ynë të kishte shpëtuar”, tregon Santarelli. /Syri.net/