Tetova shpall zonë të mbrojtur burimet e ujit në Kodrën e Diellit, më në fund
Me tre muaj vonesë Komuna e Tetovës shpalli zonë të mbrojtur burimet e ujit në Kodrën e Diellit, në vendin ku gypat ishin dëmtuar nga ndërmarrja shtetërore ELEM. Me këtë vendim, për çdo punim që do të realizohet në këtë zonë do të nevojitet leje e veçantë. Kreu i Këshillit Komunal të Tetovës Hisen Xhemaili paralajmëroi padi penale ndaj ELEM-it për dëmtimin e gypave në Sharr.
“Sigurisht që komuna e Tetovës i ka mbikëqyr punimet pas paraqitjes së rastit nga Ndërmarrja Publike Komunale, ka dërguar inspektoratin në vendin e ngjarjes kemi mbikëqyr dhe janë procedura të inspektoratit që ndiqen më tutje dhe do kërkohet që firma që punon aty të kthej në gjendjen e mëparshme atë dhe të paguaj edhe dëmin e shkaktuar”, deklaroi Hisen Xhemaili. Kryetar i këshillit komunal Tetovë. Nga ana tjetër Lëvizja për Reforma PDSH dega në Tetovë paralajmëroi padi penale ndaj Institucioneve lokale në Tetovë lidhur me përgjegjësinë për sigurimin e ujit të pijshëm dhe të pastër për qytetarët e Tetovës.
“Ju informojmë se mos inicijimi i veprimit mbrojtës dhe mos plotësimi i detyrimeve të juaja brenda afatit të skajshëm ligjor prej 15 ditëve, do të krijojë pasojë juridike dhe do të kërkojmë nga organet gjyqësore shqyrtimin e padisë për krijimin e pasigurisë sipas nenit 77, nenit 183, nenit 185, alineja 118(1), neni 119(4) të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes për Reforma PDSH dega në Tetovë.
Ndërmarrja shtetërore ELEM gjatë punimeve në malësinë e Sharrit një muaj më parë kishte dëmtuar gypin kryesor furnizues me ujë të pijshëm./Alsat/