Thaçi e Rama në ceremoninë e inaugurimit të Erdoganit, aty do të jetë edhe Vuçiq

270

Sipas agjencisë turke të lajmeve, Anadolu Agency, në “Ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të Turqisë”, Recep Tayyip Erdogan do të marrin pjesë 22 presidentë, 28 kryeministra dhe krerë parlamentarë si dhe 6 sekretarë të përgjithshëm të organizatave ndërkombëtare

Duke u thirrur në burime presidenciale, kjo agjenci shkruan se në mesin e pjesëmarrësve të ceremonisë do të jenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Burimet bëjnë të ditur se, presidenti Recep Tayyip Erdogan nesër në ora 16.30 sipas kohës lokale do të betohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), pas së cilës do të vizitojë mauzoleun Anıtkabir. Ndërsa në orën 18.00 do të mbahet ‘Ceremonia e Inaugurimit të Presidentit’ me pjesëmarrjen e një numër të madh të presidentëve, krerëve qeveritarë dhe parlamentarë, si dhe shumë të ftuar të tjerë. Më pas presidenti Erdogan do të shtrojë darkë për krerët e ftuar të shteteve, qeverive dhe kuvendeve”, njofton kjo agjenci.

Pos Thaçit e Ramës, sipas AA-së, në ceremoni do të jenë edhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ai i Bullgarisë, Rumen Radev, kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa pjesë e ceremonisë do të jenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Gremonger, Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë në Komisionin Evropian, Dimitris Avramopoulos dhe shumë të tjerë, shkruan kjo agjenci.

Comments