Thaçi: Ligj për amnisti dhe rigjykim për rastet e montuara

343
fresco
midle
Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, premtoi ligj për amnisti dhe rigjykim të rasteve të montuara si “Kumanova”, “Sopoti” dhe “Monstra”. Sipas tij, gjykatësit e këtyre rasteve nuk do të mund të rizgjidhen në ato poste. Thaçi gjithashtu theksoi se nëse PDSh fiton zgjedhjet e 11 dhjetorit brenda 1 muaji do të miratohet ligj për faljen e borxheve të familjeve shqiptare.
Ai u zotua se me projektin e PDSh-së dhe ligjin për amnisti do të zbrazen burgjet e mbingarkuara me shqiptarë. Për të arritur këtë qëllim, Thaçi kërkoi votën e shqiptarëve, sepse, sipas tij, platforma e PDSh-së tashmë e ka mbështetjen ndërkombëtare dhe këtë mbështetje e tregoi dhe prezenca e mbrëmshme në tubimin e PDSh-së e këshilltarit të lartë të partisë republikane në ShBA, Henry Jones, i cili i dha mbështetje të drejtpërdrejtë politikave të Partisë Demokratike Shqiptare dhe liderit të saj që e cilësoi si mik ekskluziv i Partisë Republikane dhe Konservativëve në Amerikë.
Kreu i PDSh-së, ndërkohë, kërkoi votën e shqiptarëve për t’i dhënë fund qeverisjes aktuale.
“Unë besoj se gjithë shqiptarët do të japin një votë të fuqishme jo kundër një partie, por kundër hajnave dhe krimineleve të BDI-së. Unë mendoj se të gjithë së bashku do t’i bindim në këto ditë që na kanë mbetur të gjithë vëllezërit dhe motrat tona, se ata janë të vdekur, nuk kanë më asnjë forcë, guximi i tyre ka marrë fund. Besoj që me këtë votë që do t’ia jepni PDSh-së dhe mua, unë ju premtoj që në muajin e parë të qeverisjes ligjin për amnisti dhe zbrazjen e burgjeve prej shqiptarëve. Ju premtoj se rastet e rënda, siç janë “Monstra”,  “Sopoti”, “Kumanova” do të shkojnë në rigjykim dhe të gjithë këta gjykatës të cilët kanë bërë krim mbi shqiptarët nuk do të mund të zgjidhen kurrë më si gjykatës. Unë ju premtoj se nëse bashkërisht arrijmë që të fitojmë votën e shqiptarëve, në muajin e parë do të ketë ligj për faljen e të gjitha borxheve që shqiptarët ia kanë shtetit. Unë mendoj se nuk ka udhëheqës tjetër shqiptar që më së shumti është përkujdesur për Shkupin. Dy herë kam qenë deputet në Shkup dhe këtë herë prapë përkujdesja ime kryesore do të jetë për shqiptarët në Shkup”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër një, Idriz Orana, tha se fitorja e PDSh-së në 11 dhjetor do të ndryshojë rrënjësisht jetën e shqiptarëve të Maqedonisë. Ai akuzoi BDI-në se për 15 vite është përkujdesur vetëm që të mbushin xhepat e tyre, por jo për të siguruar një jetë të dinjitetshme për shqiptarët.
“Shumë shqiptarë nga Dizhoni, Gazi Baba e Serava nuk kanë bukë që të ushqejnë fëmijët e vet. Nuk kanë as të ardhura mujore,  jetojnë në skamje,  pa të drejta në ndihmat sociale, pa punësim… Cila nënë mundet të durojë për fëmijët për bukë e për shkollë. Për 15 vjet  BDI pasuroi vetëm xhepat e tyre dhe shtëpitë e familjarëve të tyre. PDSh ka një ofertë shumë të mirë në funksion të biznesit të vogël  dhe të madh, prandaj ne kërkojmë të na mbështesni. PDSh patjetër do bëjë ndarjen territoriale. Komunat që janë krijuar me ndarjen e fundit territorial i ka ndarë shqiptarët dhe ekonomikisht. Komuna e Çairit nevojitet të riorganizohet, sepse në një hapësirë të vogël gjeografike jetojnë kaq shumë njerëz të cilët BDI i ka lënë në një vend ku kemi mbi 80 mijë banorë”,– theksoi bartësi i listës në njësinë zgjedhore një nga PDSh, Idriz Orana.
PDSh kërkon ndarje të drejtë të barabartë të buxhetit, investime në arsim, infrastrukturë, shëndetësi… Sipas kreu të PDSh-së, Menduh Thaçit, kjo arrihet me një votë të fuqishme pro PDSh-së që të mund të realizojë platformën që i premton para qytetarëve.
“Mos humbni kohë, puna ka ardhur deri aty që në çdo moment nga BE-ja dhe ShBA-ja, mund të thonë ose strukturë e re të vijë në pushtet, ose për ju nuk ka integrim në strukturat euroatlantike”,– shtoi Thaçi.
Sipas tij, platforma e PDSh-së u jep kuptim kërkesave të shqiptarëve dhe çon drejt integrimit në NATO dhe BE. Lideri i PDSh-së Thaçi gjithashtu apeloi deri te votuesit që të mos tregojnë urrejtje dhe të mos ushtrojnë dhunë ndaj asnjë subjekti politik, por të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për të dënuar subjektet politike që nuk kanë bërë asgjë për ta në gjithë këto vite.
Comments