Thaçi: Nuk kam kontakte me Lajçakun, nuk e kam vullnetin të participoj në një proces që udhëhiqet nga ai
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi para mediave sot ka folur për procesin e dialogut me Serbinë dhe thirrjet e Francës dhe Gjermanisë që ky proces të nis sa më shpejtë.
Para mediave, Thaçi ka thënë se Kosova në javët e ardhshme duhet të jetë e gatshme që të marrë përgjegjësitë që i takojnë, në realitetet e reja që krijohen në vend, shkruan lajmi.net.
“Kosova duhet të jetë në javët e ardhshme e gatshme që të merr përgjegjësitë që i takojnë, në realitetet e reja që krijohen. Askush nuk mund ta përcaktoj ditën apo javën se kur do të nis dialogu me Serbinë. Është inkurajuese angazhimi i SHBA-ve në këtë proces që t’i shtyjë gjërat përpara. Ne na mbetet që të punojmë bashkarisht, dhe të kemi një punë serioze, sa më unifikuese dhe që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke si dy shtete të pavarura. Rrugëtimi jonë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe të kemi një raport special me SHBA-të”, tha presidenti.
Thaçi në këtë konferencë për media foli edhe për të dërguarin special të BE-së në procesin e dialogut, Miroslav Lajçak, me të cilin tha se nuk ka kontakte, por se të njëjtat i ka kryeminstri në detyrë, Albin Kurti.
Presidenti po ashtu tha se nuk e ka vullnetin të participojë në një proces të udhëhequr nga Lajçak, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Unë nuk jam në kontakt me zotin Lajcak. Me të është Kurti në kontakt mirëpo nuk e di se sa larg kanë shkuar ata me zotin Borrell. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që ky është vend sovran, mirëpo përballë kemi dy negociator nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë por edhe duhet të bëjmë diferencimin e partnerëve strategjik. Unë do t’i përgjigjem cdo ftese për pjesëmarrje në samite ndërombëtare, por nuk e kam vullnetin të participoj në procesin e dialogut që udhëhiqet nga Lajcak”, tha Thaçi. /Lajmi.net/