Thaçi: PDSH do t’i vendos barrikadë represionit shtetëror

73

Moebel THEMA

Kreu i kësaj partie, njëkohësisht kryesues liste në njësinë zgjedhore numër gjashtë, Mendu Thaçi, u zotua para banorëve të kësaj zone se do të angazhohet për të realizuar të gjitha të drejtat politike të shqiptarëve si dhe për të ndërprerë diskriminimin ekonomik.
Sipas Thaçit, platforma dhe programi i PDSh-së është platforma kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë. Në Gostivar, pavarësisht se është qytet me shumicë shqiptare, të gjitha bizneset e mëdha u takojnë maqedonasve.
“Ne kemi plan të saktë për të dalë prej kësaj situate, këto 15 vite ndoshta ishin vitet më të këqija të shqiptarëve të Maqedonisë. Ju e dini të dashur gostivaras se prej atij momenti që ne kemi kaluar në opozitë, Gostivarin e ka kap e zeza. E zeza e ka emrin “Monte Negro”. “Monte Negro” maqedonas kontrollon të gjitha bizneset e Gostivarit, prej pilarave, pemëshitësve të thjeshtë e deri te biznesi i ndërtimit. Edhe kryetari i komunës, që sillet sikur s’ka raporte të mira me ta, gjithë biznesin e ka me maqedonasit. Unë mendoj se angazhimi ynë i përbashkët në këto zgjedhje, që me 11-shin ta ndryshojmë këtë gjendje, ka të bëjë edhe me ndryshimin e gjendjes tonë ekonomike”,- theksoi kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
Përveç angazhimit për ndërprerjen e diskriminimit ekonomik, i cili, sipas Thaçit ka bërë që shqiptarët të braktisin vendlindjen për të siguruar idaren, PDSh zotohet se do të miratojë dy ligje për amnisti. Amnisti për të burgosurit në raste të pretenduara si raste të montuara dhe amnisti apo falje të të gjitha borxheve që kanë shqiptarët ndaj shtetit.
“Ky plan i PDSh-së fillon me fitoren e madhe të kësaj partie dhe me vendosjen e barrikadës ndaj këtij represioni shtetëror që u bëhet shqiptarëve. Ne e kemi Ligjin për amnisti fiskale, me të cilin do t’i falim të gjitha borxhet që i kanë shqiptarët ndaj shtetit. Shqiptarët do të fillojnë të paguajnë borxhe ndaj shtetit atëherë kur ky shtet do t’u japë shqiptarëve borxhin e madh. Një miliard e shtatëqind milionë euro të buxhetit të shtetit duhet të vijnë te shqiptarët. Ligji i dytë për amnisti që do të sillet është zbrazja e burgjeve që janë të mbushura me shqiptarë. Është cinike dhe e padurueshme që në të  gjitha institucionet e këtij shteti përqindja e shqiptarëve është 5,6 apo 7% nëpër burgje, kjo përqindje është mbi 90%. Kjo duhet me urgjencë të përmirësohet dhe shqiptarët që janë dënuar me të padrejtë ose janë dënuar në mënyrë drakonike, duhet të lirohen urgjentisht”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
Sipas Thaçit, ky plan mund të realizohet me kërkesën kryesore politike që është vendosur në programin e PDSh-së e që është vendimmarrja me konsensus të plotë në kuvend për çështje që kanë të bëjnë me aspektin ekonomik dhe aspektin e të drejtave të shqiptarëve.
Kreu i PDSh-së akuzoi pushtetin për krim dhe korrupsion. Sipas tij, dëshmi shtesë për këtë janë fushatat e shtrenjta që po bëjnë partitë në pushtet përmes materialeve propaganduese.
Ndërkaq, kandidati për deputet i PDSh-së nga kjo zonë, Rushit Veapi, kërkoi votën e shqiptarëve për të përmirësuar cilësinë e jetës së shqiptarëve këtu, që të mos detyrohen të ikin jashtë vendit.
“Gostivari, si shumë vendbanime të tjera shqiptare, që nga viti 2002 është bërë një vend pa perspektivë, pa infrastrukturë dhe njerëz të rinj të cilët largohen për çdo ditë në kërkim të ardhmërisë më të mirë.”-tha Veapi.
“Që nga viti 2002 sherifët dhe “kamatashët” e BDI-së e shndërruan Gostivarin në qytet ku mbizotëron terri dhe frika dhe nuk mjaftuan me kaq. Na mbollën drejtorët maqedonas në të gjitha institucionet ku u takonin shqiptarëve, premtuan dhe ndërtuan kryqe e kisha sepse pushteti u vlen më shumë se ndërgjegjja dhe trashëgimia jonë kombëtare. Unë dhe PDSh-ja që sot kërkojmë mbështetjen tuaj, që kërkojmë votën tuaj dëshirojmë që gjithmonë dhe kudo të flasim shqip; dëshirojmë që të diplomuarit shqiptarë të mos përfundojnë në baushtellat e Gjermanisë, sepse dija e tyre dhe investimi ynë është më i vlefshëm. Shkollarët tanë e kanë vendin këtu, sepse guri peshon në vend të vet”,– u shpreh kandidati për deputet nga PDSh, Rushit Veapi.
Programi dhe platforma e PDSh-së është program dhe platformë moderne, e cila, sipas tij, gëzon mbështetjen e faktorin shqiptar në rajon dhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. “Unë besoj në këtë projekt që e kemi hartuar bashkë dhe besoj që populli shqiptar do t’i japë mbështetje të fuqishme këtij projekti”,– tha Thaçi.
Mbrojtje sociale dhe pensione për pleqtë. Bursa dhe kredi për shkollimin e rinisë shqiptare dhe më shumë punësime në familjet shqiptare, premtoi kreu i PDSh-së, Mendu Thaçi. Ai tha se është i vetëdijshëm që ky program do të pranohet me vështirësi nga partitë maqedonase, por shprehu optimizëm se kjo do të ndodhë në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar. Nëse maqedonasit nuk lëshojnë pe, sipas Thaçit, ata do të ndeshen me bashkësinë ndërkombëtare.
“Bashkësia ndërkombëtare do t’i lë pa bukë si Asadin dhe Gadafin”,– deklaroi Thaçi. Për këtë qëllim, përkatësisht për të zbatuar platformën dhe programin e PDSh-së, ai kërkoi votën e shqiptarëve.
Comments