Thaçi, qeverisë së re: Urgjentisht të largohen pengesat që u vendosën ndaj SHBA-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur konferencë për media pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin 162 faqesh për dekretin e tij ndaj Avdullah Hotit.
Thaçi i ka bërë thirrje qeverisë, e cila pritet të votohet të mërkurën, që të heq të gjitha pengesat që dëmtojnë marrëdhëniet me SH
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur konferencë për media pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin 162 faqesh për dekretin e tij ndaj Avdullah Hotit.
Thaçi i ka bërë thirrje qeverisë, e cila pritet të votohet të mërkurën, që të heq të gjitha pengesat që dëmtojnë marrëdhëniet me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar, raporton lajmi.net.
BA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar, raporton lajmi.net.
I pari i shtetit tha se duhet pasur parasysh kujdesin e mëtutjeshëm në përballje me pandeminë, COVID-19. Mes tjerash, ai nuk harroi të kërkoi nga shtetet anëtarë të BE-së që të marrin vendimin e merituar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Të vazhdojmë të ruajmë marrëdhënien speciale, të përjetshme me SHBA dhe partnertët tjerë evropian. Është urgjente që të gjitha masat që pengojnë marrëdhëniet me SHBA të largohen menjëherë nga qeveria e re”, tha ndër tjera Thaçi.
Fjalimi i plotë:
Sot kam pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim, me të cilin propozova z. Avdullah Hoti si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
E mirëpres përfundimin e këtij procesi politik e juridik.
U dëshmua edhe një herë se në Kosovë është pjekur demokracia dhe se funksionojnë me sukses institucionet e pavarura.
Tani është hapur rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Shpresoj që të jetë kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim.
Më lejoni ta përsëris edhe një herë: kam qenë i kujdesshëm në çdo hap që kam ndërmarrë që të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Mbi të gjitha, për mua është e rëndësishme që të respektohet rendi kushtetues e ligjor i Republikës së Kosovës.
Ky është themel i funksionimit të shtetit dhe shoqërisë sonë.
Tani pres që sa më parë të themelohet Qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë një Qeveri funksionale dhe efektive.
Kosova nuk e ka luksin të ketë vakum në qeverisje.
Na duhen institucione që i lëvizin gjërat përpara dhe jo institucione të stagnimit e vendnumërimit.
I ftoj partitë politike dhe të nominuarin për kryeministër që të marrin përgjegjësi.
Kosova ka humbur shumë kohë duke ndërruar në tri-katër vitet e fundit Qeveri e kryeministra.
Në shikim të parë duket se partitë kanë fituar, por në fakt Kosova dhe shoqëria kosovare është dëmtuar dhe vonuar, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Tani është koha për reflektim, për stabilitetit, unitetit dhe punë të përbashkët për një rimëkëmbje ekonomike.
Është koha të përqendrohemi në atë që është kryesorja për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Të vazhdojmë reformat në të gjithë sektorët e jetës, të sigurojmë zhvillim e prosperitet.
Dy hapa janë urgjentë tani dhe në këto duhet të përqendrohemi të gjithë.
E para, të mbesim të kujdesshëm në përballje me pandeminë.
I falënderoj edhe një herë Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës, të gjithë ata që punojnë në sektorin e mjekësisë, në të gjitha institucionet tjera, për punën shembullore që kanë bërë në përballje me pandeminë.
Pika e dytë ku duhet të përqendrohemi është rimëkëmbja ekonomike e vendit.
Javën e kaluar kam vizituar Odën Ekonomike të Kosovës dhe kam dëgjuar për sfidat e bizneseve, për sfidat e punëtorëve në këto rrethana të vështira.
Qeveria e re pa vonesë duhet të prezantojë Planin e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Thërras të gjithë spektrin politik, pushtet dhe opozitë, komunitetin e biznesit, të punojnë bashkërisht për një plan ekonomik që do t’i ndihmojë punëtorët, bizneset, bujqësinë, shërbimet, tregtinë.
Por, duhet të mbajmë shikimin edhe në synimet tona strategjike, anëtarësimi në NATO dhe në BE.
Duhet të vazhdojmë forcimin e sundimit të ligjit, të forcojmë institucionet e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Të luftojmë dukuritë negative, si korrupsioni e krimi i organizuar.
Të promovojmë dialogun dhe bashkëpunimin rajonal.
Ftoj edhe një herë shtetet anëtare të BE-së që të marrin vendimin e merituar për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
Të ruajmë marrëdhënien speciale, partneritetin e përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Liria dhe pavarësia jonë është e lidhur ngushtë me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë evropianë.
Duke ruajtur partneritetin me ta, garantojmë një të ardhme të sigurt për shtetin tonë, për gjeneratat e ardhshme.
Është më se urgjente që të gjitha masat që kanë cenuar raportin tonë me SHBA-në të hiqen menjëherë, që në fillimet e Qeverisë së re.
Përkrahja amerikane në ekonomi, ushtri, diplomaci është jetike për të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë.
Kosova duhet të projektojë siguri dhe stabilitet dhe pikësynim të qartë drejt vlerave euroatlantike.