Thaçi: Si zv/kryeministër i ardhshëm, do ta zbardhë rastin Kumanova

95
Menduh Thaçi

Menduh Thaçi
Mendu Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, i bindur në fitore në zgjedhjet e 11 dhjetorit, ka thënë se do të bëhet zëvendëskryeministër i vendit, dhe nga ai pozicion do ta zbardhë Rastin e Kumanovës – ku vdiqën dhjetëra shqiptarë nga Kosova në luftime me policinë e Maqedonisë.

Këto komente Thaçi i ka bërë në Zona e Debatit në Klan Kosova, në një intervistë ekskluzive.

“Unë nuk kam instrumente në dorë, por që në ditën e parë do të jem i interesuar që si zëvendëskryeministër ta zbardhë tërësisht këtë situatë”, ka deklaruar Thaçi.

“Kush ishin ata që bënë telefonatat dhe kush ishin ata që krijuan situatën e turpërimit publik? Maqedonasit e krijuan si spektakël për ta dëshmuar si forcë të vet”.

Thaçi vetpërgjigjet duke shtuar se ajo situatë u montua nga qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

“Partitë në pushtet e bënë atë për t’i thënë bashkësisë ndërkombëtare: ‘Mos nga ngucni për përgjime, se i kemi për siguri të vendit’”, pohoi Thaçi.

“Gjithçka është organizuar nga kjo qeveri, ata e bënë këtë për t’u treguar ndërkombëtarëve se ‘ne mund të jemi pak të korruptuar, por ne e mbajmë rendin’, por për ne shqiptarët ishte situatë shumë e rëndë”.

“Këta njerëz që ranë në pritë në Kumanovë ishin miq të Ali Ahmetit, jo armiq”.

“Ky është kriminalitet shtetëror, të gjitha informacionet flasin për këtë. Të gjithë strategët e luftës thonë se ata janë fut në kurth, ata kanë qenë strateg të luftës guerile që kanë luftuar Millosheviqin, dhe si është e mundur që hynë në një vend pa exit (dalje)”.

Thaçi ka siguruar edhe se nuk heq dorë nga posti i njeriut numër dy në qeverinë e ardhshme.

“Nuk hyj në koalicion nëse nuk jam zëvendëskryeministër. Zëvendëskryeministri do të jetë i shqiptarëve. Nënshkrimi i tij do të jetë në çështjet e buxhetit të shtetit. Nuk do të jetë e lehtë, por do të realizohet me këmbëngulej”.

“Maqedonasit më kanë thënë se e drejta e vetos e pengon funksionimin e shtetit. Por kjo nuk do të jetë e përjetshme. Do të qëndrojë si e tillë derisa Maqedonia të bëhet shtet kredibil. Kjo do të jetë përkujdesje e një funksionari të lartë që shqiptarët të mos diskriminohen në bazë të etnisë. Partive, pa marrë parasysh numrin e votave, do t’u ofroj bashkëpunim në qeverisje. Nuk do të jetë e lehtë, por kjo çështje është më e madhe se partitë”.

“Do të mundohem që këtë projekt t’ia prezantoj politikës së Shqipërisë dhe Kosovës, duke qenë i kujdesshëm që të mos i fus në telashe”.

Comments