
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për votimin e sotëm në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave.
“Qytetarët e Kosovës sot janë edhe një hap më afër drejt realizimit të një të drejte bazike në familjen evropiane, lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Me më shumë se 2/3 e votave të eurodeputetëve, Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Ky është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian”.

” Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian. Si President i Republikës së Kosovës, në emrin tim personal dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, i falënderoj eurodeputetët për këtë vendim të drejtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Parlamenti Evropian ka votuar sot pro heqjes së vizave të kosovarëve.
Eurodeputët kanë votuar me 420 vota pro, 186 kundër, ndërsa 22 kanë abstenuar.