“Tirana Marathon” mbledh nesër mijëra vrapues nga e gjithë bota. Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale një video nga aktivitete të mëparshme të Maratonës së Tiranës, e cila këtë vit vjen me edicionin e saj të nëntë në zemër të kryeqytetit shqiptar.
Si një nga ngjarjet më të mëdha sportive në Shqipëri, ky edicion shënon gjithashtu vitin kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Maratona e Tiranës mirëpriti një vit më parë mbi 4,000 pjesëmarrës, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende si Polonia, Ukraina, Austria etj, si dhe Kosova.
Policia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.
“Maratona e Tiranës 2025”, do të ketë kufizim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në 16:00, në zonat: Sheshi “Nënë Tereza”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”; rruga “Gjergj Filipi”; rruga “Papa Gjon Pali II”; rruga “Ismail Qemali”, bulevardi “Bajram Curri”, kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, rruga “George Ë. Bush”, rruga “Abdi Toptani”; bulevardi “Zog I”, Bulevardi i Ri, rruga “Ded Gjo Luli”, Rruga e “Durrësit”, Rruga e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark” (nga ura e Gjykatës deri te ura e “Taiëan”), bulevardi “Bajram Curri” (nga ura e Gjykatës së Rrethit deri te ura e “Taiëan”), rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Lek Dukagjini”.
Gjithashtu, policia informon qytetarët se për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, itinerari i mjeteve të transportit urban do të pezullohet përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, si dhe në të gjitha segmentet rrugore që kryqëzohen me itinerarin e sipërcituar, nga ora 08:00 deri në 16:00, të datës 19.10.2025. Gjithashtu, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve për transport të përzier, teknologjik dhe atyre për transport pasagjerësh (përveç mjeteve të transportit urban qytetas), në brendësi të Unazës së Madhe, më datë 19.10.2025, nga ora 08:00 deri në 16:00.