Tirana me 1001 probleme, sa shumë dhimbje koke për Memën!

Një njeri i shtëpisë për të shpëtuar Tiranën. Ardian Mema e njeh mirë simbolikën dhe lavdinë e fanellës, por historia është tjetër gjë, ndërsa aktualiteti i vë përpara një mal me probleme për të zgjidhur në skuadrën ku dikur fitonte tituj si futbollist në fushë. Probleme me mbrojtjen, dhe sulmin, një organikë që kërkon ndërhyrje dhe më tepër kualitet, por ndërkohë në pritje të merkatos trajnerit 48-vjeçar i duhet të nxjerë skuadrën nga kriza e rezultateve. Mema nuk mund të ketë shkopin magjik, dhe ende s’e ka shijuar fitoren e parë në stol, por ndërkohë dora e tij në skuadër po jep sinjalet e para edhe pse koha në dispozicion ka qenë minimale. Ndaj Flamurtarit dhe sidomos Kamzës, u pa një Tirana më sulmuese, më e orientuar drejt zonave të praoavijës kundërshtare dhe që tenton të dalë para me më shumë forca, me rastet e shumta që nuk munguan. Një Tiranë më guximtare, me pak më tepër nga filozofia e Tiranës së dikurshme, për të luajtur përpara, edhe pse emrat në fushë, vështirë të kenë të krahasuar. Jo më pak dhimbje koke për trajnerin ofron edhe mbrojtja. Tirana pëson gol rregullisht në çdo ndeshje, një defekt që ende nuk i është gjetur ilaçi aq më tepër kur skuadra penalizohet nga gabimet individuale. Të gjitha probleme për t’u zgjidhur për Memën që ka nisur t’i japë skuadrës diçka nga filozofia e tij, edhe pse ndryshe nga Ze Maria, nuk ka luksin e kohës për të thënë: prisni për të parë Tiranën time.