Tirana rinis për të tretin vit radhazi fushatën e mbjelljes së 100 mijë pemëve të reja

204

Pas suksesit të dy viteve të para, Tirana do të rinisë fushatën e madhe të mbjelljes së 100 mijë pemëve, për të vijuar revolucionin e gjelbër për kryeqytetin. I pranishëm në aktivitetin “ECDAY 2018, “Për një Botë Plot Ngjyra” të organizuar me rastin e Ditës së Bashkëpunimit Evropian, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi qytetarët t’i bashkohen nismës pozitive për qytetin.

“Në qoftë se secili prej jush do të mbjellë një pemë për ditëlindje, Tirana mund të ketë edhe 100 pemë të tjera, ashtu si edhe 100 mijë pemët që mbollëm vjet. Ambicja jonë është që fushatën e mbjelljeve ta nisim muajin tjetër, nga fundi i tetorit. Ashtu siç na mëson edhe ky projekt bashkëpunimi, të gjithë duhet të japim një dorë”, iu drejtua Veliaj fëmijëve pjesëmarrës në aktivitet.

Gjithashtu, Tirana është qyteti i parë në Ballkan që i është bashkuar nismës për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në markete apo supermarkete. Veliaj kërkoi prej qytetarëve që të përdorin trastat, për të reduktuar në maksimum përdorimin e qeseve, të cilat janë një nga problemet më shqetësuese për mjedisin.

“Para një viti morëm një vendim, thamë: Në Tiranë nuk do të ketë më qese plastike. Nëse do të shkosh në supermarket, do të duhet ta blesh, ose në disa raste, kur ato janë të padegradueshme për 100 vjet, nuk do t’i përdorim fare. Ajo që unë dua nga ju, është që këtë vit, secili prej jush, me prindërit, të këmbëngulë që të përdorim vetëm trasta dhe jo qese plastike, që ndotin qytetin, që futen nëpër ushqime, që bëjnë pis lumenjtë, liqenet, dhe që bllokojnë gjithë kanalizimet në kohë shirash. Nëse do të më jepni një dorë që ta bëjmë të gjithë bashkë këtë, ju garantoj se Tirana do të jetë akoma edhe më e pastër sesa është sot”, u shpreh ai.

Comments