TITO në një stallë lopësh në Lug të Baranit

231

Shkruan: Salih Kabashi, Prishtinë

Plaku me foton e “Plakut”, kështu e quanin me dashni (edhe) shqiptarët udhëheqësin (e gjakpirësin) e tyre.

Këtë plakun e fotos e mbaj mend si një figurë në lëvizje të përhershme e të çuditshme: fotoja e Titos e vënë në kornizë, shtaga krrute, dukja impozante e malsorit dhe marshi i tij vetmitar nëpër qytet, ishin bërë përditshmëri dhe objekt për humor e ngacmime të rinjsh nga Lugu i Baranit deri në Pejë.
Ishte viti 1981.

Ai, krejt i pavarur, bënte teatrin e tij. Me shëtitjet e tij rrugë më rrugë dëshmonte fuqishëm se për të gjallë Shqiptari nuk do t’i shmanget rrugës së Titos e të Partisë…

Sylë e ka pasë emrin. S’di pse e quanin Sylë Vranoci kur ai ishte nga Kotradiqi.

Do ta kisha harruar po të mos e kisha lexuar verës që shkoi një libër të shkrimtarit Hasan Hasani për yllin e folklorit shqiptar, Bajrush Dodën e Maznikut.
Dhe, çfarë konçidence, në të njëjtën kohë ndër qindra foto gjeta edhe foton e Sylë Dervishit! Foto që dikur e kisha publikuar në revistën “Republika”.

Në librin e Hasanit ka një ngjarje shumë interesante dhe tejet domethënëse.

Një dasmë e madhe në Kotradiq ku Bajrushi me grupin e tij, me këngë e muzikë do t’ia shyhretonin gazmendin të zotit të shtëpisë.

Një stallë e madhe ishte përshtatur për t’u bërë vend krushqve të ftuar dhe dashamirëve (të paftuar) të shumtë që pas darkës, zakon i kahmotshëm në Rrafshin e Dukagjinit, dyndeshin për t’u hedhur mbi flatra të hareshme këngësh e vallesh.

Këngëtarët kishin kënduar disa potpuri dhe po pushonin e bisedonin mes vete e me ndonjë nga të pranishmit. Papritmas, me shtagën e tij, veshur me tirq e me kokën mbuluar me shall të bardhë, hapakambas, shfaqet Sylë Dervishi. I futet mespërmes stallës dhe shpalirit të krushqve dhe shkon e var në krye të saj foton e të dashurit të tij – Tito!

Dasmorët, familjarët, këngëtarët, të gjithë! mbesin pa gojë. Sylë plaku, i pa mend! po ua prishte dasmën!

Njerëzit shikonin njëri-tjetrin duke u përpjekur që të shpëtonin nga ky kurth e nga kjo hata. Atyre as ua kishte anda ta shihnin në dasmë foton e Titos, shteti i të cilit kishte marrë teposhtëzen, as e kishin guximin që vetë ta hiqnin atë.

UDB-a e Komiteti i Partisë në Pejë ende ishin të forta, të fuqishme e të egra. Edhe me spiuj ishin të mbushura katundet…

“O merrnani nji kangë…”, u dëgjua dikush, sigurisht për të krijuar zhurmën e duhur që do të mundësonte negocimin e situatës.

Njëri nga grupi i Bajrushit, pikërisht djali i vëllait të tij, Hajdar Doda kishte marrë vendim të prerë:
“Për jetë, edhe koka me më shku, unë çifteli në dorë nuk marr, as këngë nuk këndoj në një vend ku qëndron varur në mur fotoja e Titos…”.
Hajdar Doda nuk bënte hajgare. Ishte antititist i pathyer.

Situata po komplikohej. Ishte krijuar një klinç.

Të cilin e kishte zgjedhur për faqe të bardhë e me mençuri të jashtëzakonshme Maxhun Smajl Hysenaj, një kotradiqas, inxhinier gjeodezie.
Ai ishte ngritur në këmbë dhe kishte thirrë me zë të lartë:
“Mixha Sylë, pse po do me na çue në burg të gjithëve sa jemi sot në këtë dasmë? Ma së pari të zotin e shtëpisë, mandej mue, kangëtarët dhe krejt këta bura, me miq e me dashamirë që kanë ardhë me na nderue?!… Krejt kush vyen diçka prek këtyne burrave- duarlidhur në burg! Pse, o mixha Sylë?”
“Pse, babë?” – tha mixha Sylë.

“Qysh pse babë? Çka thue ti, me u çu dikush nga kjo dasmë e me shkue në Pejë, në komunë, në komitet, në Sigurim… e me thanë se në Kotradiq e kanë vu fotografinë e Titos në stallë të lopëve!?”

“Mos bre! Kuku!”, kishte thënë plaku dhe ishte ngritë me të shpejtë dhe me duar të veta, ashtu siç e kishte vendosur edhe e kishte hequr nga muri foton e Marshallit…
Dasmorët kishin marrë frymë lirisht.

Ata i kishte çliruar mençuria e Maxhun Smajlit dhe patriotizmi i Hajdar Dodës. Po edhe vetë mixha Sylë, megjithatë, nuk kishte dashtë ta merrte në qafë katundin e vet e ta koriste të zotin e dasmës…

PS: (Libri “Bajrush Doda, një jetë e shkrirë në këngë” i Hasan Hasanit, sado monografi, është një vepër e letrarizuar bukur dhe e mbushur me plot momente të karrierës së kryepersonazhit, që janë pasazhe dramatike të një periudhe të rëndë që ka kapërcyer populli ynë dhe kënga e tij.).

Comments