Tradhtia nuk është largimi nga qeveria, tradhti është dorëzimi i komunave shqiptare për pushtet!

501

Nuk është tradhti të largohesh nga një qeveri që të nëpërkëmb, të nënçmon dhe të trajton si dekor politik pa peshë reale në vendimmarrje. Largimi nga një pushtet i tillë është akt dinjiteti, jo braktisje përgjegjësie.
Tradhti është kur, pa legjitimitet të qartë nga populli që përfaqëson, i imponohesh “agait” dhe i shërben atij për të shpifur, relativizuar dhe përulur interesin e popullit tënd. Aty fillon humbja e dinjitetit politik dhe përfundon përfaqësimi.

Tradhti është të qëndrosh në qeveri pa pasur asnjë ndikim real në vendimmarrje dhe, në të njëjtën kohë, të ndash pushtetin lokal me Mickoskin në komuna me shumicë shqiptare, duke ia dorëzuar Strugën, Kërçovën dhe Bërvenicën. Këto nuk janë komuna të rastësishme, por njësi të krijuara si të tilla me shumicë shqiptare sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe ndarjes territoriale të vitit 2005. Dorëzimi i tyre nuk është kompromis politik, por pranim i zhbërjes së një arritjeje historike.

Çështja kombëtare nuk është monedhë pazari dhe as biletë për një karrige qeveritare. Ajo është amanet që duhet bartur përpara me dinjitet, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë. Për këtë arsye, është e papranueshme që në skenën politike të dalin kuazi-patriotë dhe satelitët e tyre, të gatshëm t’i shërbejnë një kryeministri me qasje antishqiptare vetëm për privilegje personale dhe pushtet të përkohshëm.

Historia nuk i gjykon aktorët politikë sipas retorikës apo flamujve në fjalime, por sipas bilancit real historik:
-A i zgjeruan të drejtat kolektive shqiptare apo vetëm administruan kufizimet ekzistuese?
-A ndërtuan institucione të qëndrueshme apo vetëm karriera personale e partiake?
-A lanë trashëgimi politike apo krijuan varësi klienteliste?
-A e sfiduan sistemin kur ishte e nevojshme, apo u përshtatën me të për hir të pushtetit?

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë gjykimi i vetëm që mbetet, dhe ai nuk fal.

Comments