Tragjedi nga rrëshqitjet e dheut: Dy persona të zhdukur
Përmbytjet e tmerrshme kanë zhytur në kaos vendet turistike italiane – ndërsa dy persona u raportuan të zhdukur pasi rrëshqitjet e dheut ranë mbi një shtëpi në qytetin Brazzano di Cormons, pranë Gorizias.
Gjashtë rajone, përfshirë Toskanën, kanë marrë paralajmërime për mot me shira të rrëmbyeshëm – që mund të çojë në përmbytje të shumë komuniteteve.
Zjarrfikësit nxorrën nga rrënojat një person të gjallë – i cili u dërgua në një spital aty pranë ku u trajtua për një thyerje në këmbë.
Moti ekstrem ka shkaktuar gjithashtu dëme në disa pjesë të tjera të Friuli-Venezia Giulia, në rajonin verilindor të Italisë.
Emilia Romagna, Liguria, Lombardia, Toskana dhe Umbria janë të gjitha nën gatishmëri të lartë pas një nate me shira të rrëmbyeshëm.
Shkollat në Cormons janë mbyllur dhe rreth 300 banorë në Versa u detyruan të evakuohen pasi lumi Torre doli nga shtrati.
Një numër vendasish thuhet se u është dashur të ngjiten në çatitë e shtëpive të tyre ose të dalin nga dritaret për t’i shpëtuar ujit vdekjeprurës.
Dhjetëra punonjës të emergjencës janë angazhuar për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit – shumë prej tyre duke kryer kërkime me helikopterë dhe varka të vogla.
Pamjet tronditëse tregojnë vendasit duke ecur nëpër ujëra deri në gjunjë, ndërsa rrugët janë shndërruar në lumenj me rrjedhë të shpejtë.
Komunitete të tëra duken të zhytura në ujë, me një numër shtëpish të shkatërruara.
Këtë muaj, Siçilia u përfshi nga përmbytje të tmerrshme, të cilat mbuluan Piazza Euripide, Sirakuzë.
Videot treguan makina të parkuara të zhytura në ujin e errët, ndërsa shoferët përpiqeshin me kujdes të kalonin përroin me rrjedhë të shpejtë.
Agjencia “ItaliaMeteo”, lëshoi një alarm për mot të keq dhe u bëri thirrje vendasve të qëndronin në shtëpi.

