Tragjedia çame. Si u kthyen në thertore qytete të tëra

182

1. Dëshmi të listave të dhimbjes

Në vitin 2007, kur merresha me projektin dhe realizimin e veprimtarive kushtuar historisë dhe kulturës së Çamërisë, z. Hilmi Saqe, më solli për të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, ca fletë të zverdhura nga koha. Ato ishin të fotokopjuara. Me duart që më dridheshin dhe me shikim të turbulluar (pse ta fsheh nga lotët), i shfletova disa herë dhe i lexova me dhimbje ato fletë. Ato nuk janë as kujtime, as kronika të tragjedisë çame, as të dhëna për masakrat e viteve 1944-1945. Ato janë më shumë se kujtime, më shumë se kronika individësh, më shumë se raporte të shtabeve të Luftës së Dytë Botërore në Çamëri. Ato janë lista me emrat e të masakruarve. Nuk janë të plota. Janë një pjesë (vetëm 13 faqe). Duhet të kenë qenë qindra faqe, sepse diku, në fund të tyre, dallohen numrat 105, 106, të faqeve. Krahas tyre, z. Hilmi Saqe, më dha edhe një listë tjetër ku janë shënuar emrat e atyre që kanë deponuar për masakrat në Paramithi, Pargë, Filat, Spatar, Vola, Vërselë, Smarte. Ndoshta këta apo edhe të tjerë kanë dhënë edhe emrat e të masakruarve çamë nga bandat e kriminelëve të Napoleon Zervës. Çfarë përmbajnë këto lista:

Fëmijë të masakruar nga forcat zerviste gjatë 1944-1945.
Emrat e pleqve e grave të masakruara e të humbura gjatë 1944-1945.
Emrat e të marrëve e sakatëve të masakruar gjatë 1944-1945.
Familje të zhdukura dhe të masakruara gjatë 1944-1945.
Dhimbja dhe kuja është në çdo emër të këtyre listave, por më ulëritëse ato janë në listën e parë, ku përfshihen 64 emra fëmijësh të moshave nga 1 deri në 12-14 vjeç. Mes tyre është edhe fëmija me numrin 42, i quajtur Nail Gjinika nga Margëllëçi, vjeç 13. Përbri këtij emri është edhe ky shënim i veçantë: pjekur në furrë. Vetëm kaq që menjëherë të të mbahet goja, vështrimi të turbullohet dhe të ringjallet kujtesa tragjike e mijëra çamëve, për të trokitur në ndërgjegjen e trazuar të fqinjit tonë të jugut. Vetëm kaq për të sjellë ndër mend edhe gjykimet objektive të ndonjë historiani grek, siç është Niko Zhangu, i cili për tragjedinë e popullsisë çame dhe masakrat e bandave kriminale të Napoleon Zervës shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vijë turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”. Duke botuar këto lista, në kuadrin e përkujtimit të 27 qershorit, shpallur më 30.06.1994 si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, ne rikthejmë në këtë 65-vjetor të masakrës së Paramithisë, një pjesë të kujtesës tragjike të popullsisë çame. Duke u larguar me dhunë nga trojet stërgjyshore, çamët e të gjitha moshave, fiksuan në kujtesën e tyre imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të banditëve zervistë, të cilat janë transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme. Pamjet e qiellit, retë, shirat, erërat, ngricat e dëbora apo ditët e nxehta, imazhet e shtëpive të djegura, brigjet e detit, ujërat e turbullta të lumenjve Kalama dhe Aheron, shtigjet dhe monopatet nga kanë kaluar, zërat e viktimave të pafajshëm, kokat e prera, kalldrëmet e përgjakura, gjymtyrë të flakura nëpër kanale, gra shtatzëna me barqe të çara etj., etj., përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame. Asnjë ligj i botës, ka shkruar shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, asnjë formim kulturor nuk mund t’i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji. Është një dhembje që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj.

Comments