Trajanov: Është i mundur anulimi i zgjedhjeve më 11 dhjetor! (VIDEO)



Deputeti i Lidhjes Demokrate, Pavle Trajanov nuk beson se do të ketë zgjedhje në fund të vitit, për shkak se rejtingjet e dy partive në pushtet po bien. Ai thotë se po përgatiten skenarë, që në rast se popullariteti i VMRO DPMNE-së dhe i BDI-së vazhdon të bie, zgjedhjet do të anulohen.
“Është e mundur që të anulohen zgjedhjet. Sigurisht që ata nuk do të thonë se për shkak rejtingut të partive, por ajo do të jetë një arsye e fshehtë, por do të kërkohet arsye tjera. Të themi, është e mundur që të shfuqizohet Prokuroria Speciale. Është e mundur që përsëri të hynë në fuqi ligji për falje… “, u shpreh Pavle Trajanov, Deputet i LD-së.
Trajanov thotë se këto ditë po flitet për shtyrjen e datës së shpërndarjes së kuvendit, nga 12 në 20 tetor, me arsyetimin se duhet sjellë buxheti.
Duke folur për sigurinë e përgjithshme në vend, ai thotë se mund të tentohet edhe provokimi i problemeve etnike, që kjo të përdoret për anulimin e zgjedhjeve, për shkak se të gjitha institucionet janë të paralizuara. Këto komente deputeti Trajanov i bëri në debatin e organizuar nga Forumi Ballkanik për Siguri, temë e të cilës ishte “Siguria në programet e subjekteve politike”.
Kryetari i Forumit Ballkanik për Siguri, Bllagoja Markovski, tha se me zgjedhjet duhet të vijë edhe fundi i krizë politike, por duhet që me debate të tilla si kjo, ti shtyhen partitë politike ti japin më shumë rëndësi sigurisë së vendit.
“Edhe në platformat e deritanishme te partive politike, siguria ishte pjesë, por do të thosha më shumë në mënyre deklarative dhe vetëm me definicione, po ndonjë realizim të atyre deklaratave, dhe çka është edhe më keq, pa asnjë rezultat nga ajo që e kanë vënë në platformat e tyre”, tha Bllagoja Markovski, Forumi Ballkanik për Siguri.
Pjesë e këtij debati ishin përfaqësues të partive politike, organizatave jo qeveritare, ekspert të sigurisë dhe analist, kurse kjo ishte debati i gjashtë i organizuar nga Forumi Ballkanik për Siguri.