Transportonin mishin në bagazh, policia arreston dy persona

Dy të rinj nga ky qytet janë prangosur paraditen e sotme pasi u kapën me rreth 800 kg mish kontrabandë.
Enri Koxha, 28 vjeç dhe Mihal Simaku, 22 vjeç ishin në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Dishnicë, me makinën e tyre “Mercedes Benz” kur u kapën nga policia.
Ata do të hetohen nga Prokuroria e Korçës për veprat penale “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimorë” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
Në fotot e shpërndara nga policia shihet se si po transportohej mishi pa kushte higjenike duke rrezikuar shëndetin e njerëzve që do ta konsumonin. Mishi shihet i hedhur nëpër sedilejet e pasme dhe në bagazh e për këtë arsye është sekuestruar.