Trepça, fara e konfliktit apo e pajtimit

168
fresco

midle
auto_mentor_nazarko1475993611

Mentor Nazarko

Tash Trepça është pronë e qytetarëve të Kosovës. Me këto fjalë iu drejtuan opinionit publik zyrtarët më të lartë të Kosovës, duke  iu referuar një ligji që brenda një dite kapërceu gjithë etapat e miratimit të një ligji, duke përfunduar me miratimin në seancë plenare. Të gjitha partitë ishin dakord, hiq serbët dhe Vetëvendosjen, e cila ngjante dakord me thelbin e ligjit, por që paraqiti disa amendamente.

Çfarë ngjau dhe pse kjo ngjarje ka rëndë- si për gjithë botën shqiptare që po merret me tema të tjera, por më shumë akoma ka rëndësi rajonale dhe europiane? Minierat e Trepçës dhe gjithë njësitë prodhuese të lidhura me të përfaqësojnë ndoshta një nga kombinatet më të mëdha në Europë, që punësonte 22 mijë njerëz, dhe afro 70% të GDP të gjithë Kosovës, në periudhën më të mirë.

Pra, Trepça është ndoshta pasuria më e madhe kombëtare dhe ballkanike. Zemra e kompleksit gjendet në pjesën e kontrolluar nga shteti i Kosovës, por njësi të lidhura me të gjenden në Mitrovicën e veriut, ashtu si dhe në Mal të Zi dhe Serbi. Rreth pronësisë së Trepçës, apo të lidhura me të ekzistojnë pretendime të Serbisë, ashtu si dhe të kreditorëve të tjerë jo serbë.

Një tregim kosovar është se borxhet janë të vogla në raport me vlerën e Trepçës dhe se Trepça, sipas rregullativës ndërkombëtare, i përket Kosovës. Tregimi serb është se Trepça i takon Serbisë dhe se pretendimet e kreditorëve, jo vetëm serbë, janë të konsiderueshme. Ligji që u miratua sot, synonte të shmangte një afat kërcënues të imponuar nga gjykata kompetente, pas të cilit (1 nëntor), kombinati duhej të përfundonte në likuidim prej Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Sipas këtij ligji, Kombinati i kalon qeverisë, e cila mban 80% të pronësisë, 20% ua jep punëtorëve, dhe qeveria merr përsipër riorganizimin brenda një viti në bazë të një studimi fizibiliteti që nis paradoksalisht të bëhet pikërisht tani.

Pikërisht ky kalim në duart e qeverisë kosovare ka krijuar reagimin serb, i cili ngjan destruktiv: Serbia nuk kishte ndonjë pretendim sa kohë që Trepça administrohej nga AKP (institucion i Kosovës), apo dhe likuidohej, apo dhe mbyllej. Ajo reagon vetëm pas ndryshimit të pronësisë mbi bazë të një ligji kosovar. Serbia megjithatë nuk ka pasur gjithmonë të njëjtën shkallë reagimi ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për ta shtetëzuar. Reagimi i sotëm serb, përballë një përpjekjeje kosovare si kjo, por pa ndonjë model zgjidhjeje me perspektivë, e bën të komplikuar zgjidhjen e problemit, me fjalë të tjera krijimin e një të ardhmeje të sigurt për këtë kombinat, modernizimin e tij.

E bën problem rajonal dhe ndërkombëtar, sa kohë që Serbia e ka bërë të qartë se nuk do ta lejojë kalimin e pronësisë në duart e shtetit të ri. E bën problem rajonal dhe ndërkombëtar, sepse Serbia do të bllokojë bisedimet e Brukselit, do ta ndërkombë- tarizojë ankesën e vet në forume të ndryshme ashtu si dhe në institucione globale të drejtësisë. Dhe kjo me gjasë do ta bllokonte funksionimin e ligjit, pra hapjen e një perspektive për Trepçën.

E vërteta është se qeveria në pushtet edhe me këtë ligj autoreferencial, d.m.th brendakosovar nuk ka treguar se ka një vizion të qartë, për zgjidhjen. Vetëvendosja që e kundërshtonte ligjin, thjesht për t’u distancuar, kërkonte shmangien e mundë- sisë së privatizimit, por asgjë tjetër.

Në kushtet kur Kosova vetë nuk ka kapacitete financiare, menaxhuese, kur kjo pasuri që diskutohet midis Serbisë dhe Kosovës është kaq e madhe dhe në shkallë europiane, zgjidhja që do duhej të miratohej me ligj, do të duhet të mbështetej te një model europian, apo dhe më gjerë. Pra, zgjidhja të ishte me karakter rajonal dhe europian, si kanë propozuar palë të ndryshme të përfshira në debatin rreth Trepçës.

Kosova kishte mundësi të përfshinte në diskutim faktorin perëndimor, përkatë- sisht ndërmarrje perëndimore, të cilat kanë ekspertizë dhe që mund ta menaxhonin Trepçën, -është një propozim i detajuar i ish-Presidentit të Kosovës Pacolli, propozim i cili i pëlqen shumë Britanisë së Madhe, që kanë njëlloj pretendimi mbi Trepçën, por jo vetëm atyre.

Përfshirja në lojën e Trepçës- nuk dihet nëse autorët e ligjit kanë ndër mend diçka të tillë-edhe e aktorëve perëndimorë, do ta bënte betejën për Trepçën të dilte nga suaza shqiptaro-serbe. Serbët përballë anglezëve do bërtisnin më pak. Trepça do shndërrohej në një betejë gjeopolitike, ku si dhe në konfliktin e 1999, shqiptarët do të kishin aleatët e duhur. Mbi të gjitha do kishte shanse zhvillimi. Por ka dhe diçka tjetër. Trepça gjendet në kufijtë e dy komuniteteve, apo shteteve, dhe ka njësi biznesore të lidhura me të që gjenden në të dyja territoret.

Pra, me fatin e saj janë të lidhura të dyja këto komunitete. Me një fjalë, forma e pronësisë, struktura e menaxhimit të Trepçës shikuar si një e tërë, nuk mund të mos mbajë parasysh këtë realitet gjeopolitik. A është duke u menduar për këtë? A mund të lindë prej Trepçës një subjekt që mund të akomodojë interesat e palëve në mënyrë pajtuese në një formë aksionare, apo brenda saj është fara e një konflikti të ri?

Kjo pritet të shihet sepse nga ligji, tmerrësisht i shkurtër për një temë kaq të rëndësishme, ligj i miratuar me shpejtësi të madhe, nuk kuptohet gjë. Shumë shpejt, dhe shpesh do të flitet megjithatë për Trepçën, sepse ajo është diçka e madhe për të cilën nuk mund të heshtet.

Comments