Flamuri kombëtar është vendosur kudo, rrugët janë stërmbushur me njerëz, furrat dhe mishtoret janë hapur pa pagesë që qytetarët të shërbehen me bukë e mish, kurse kënga e vallja ka jehuar nga agimi në mbrëmje. Kështu kujtohet kremtimi i Ditës së Flamurit – 28 Nëntori, në vitin 1941, kur Kosova ishte e bashkuar me Shqipërinë dhe prishtinasit ishin vetëm banorë të një qyteti të Shqipërisë, ndërsa kryeqytet kishin Tiranën.
Banorët e Kosovës që janë gjallë sot, e në atë kohë ishin nxënës të Shqipërisë etnike, mbajnë mend edhe pikat kufitare të Shqipërisë që përfshinin tokat e çliruara me katër prefektura: Prizreni, Peja, Prishtina dhe Dibra. Por, meqë aq shpejt kishte kaluar kjo periudhë, nga pleqtë ishte konsideruar si “Tri ditë Shqipni”.
Ibrahim Stublla, 83-vjeçari që jeton në Podujevë, ishte vetëm tetë vjeç e gjysmë kur mori pjesë në festimin për herë të parë të Ditës së Flamurit në këtë qytet, por që po kremtohej dhe në gjithë Kosovën në vitin 1941. Shqipëria, në këtë vit thotë se kishte 74 mijë kilometra dhe Podujeva qyteti ku ka lindur ai ishte një nga qytetet e Shqipërisë.